Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar një udhëzim që përcakton masat kryesore për mbarëvajtjen e vitit shkollor 2025–2026 në sistemin arsimor parauniversitar.
Udhëzimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, përfshin një sërë detyrimesh që lidhen me regjistrimin e nxënësve, shpërndarjen e teksteve shkollore, ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla, si dhe parandalimin e dhunës dhe bullizmit në institucionet arsimore.
Prioritet mbeten masat kundër dhunës dhe bullizimit, ku u është kërkuar ZVAP-ve dhe drejtoritë e shkollave të zbatojnë me prioritet Planin Kombëtar të Veprimit “Për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune e bullizimi dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare”.
Ndër masat konkrete të kërkuara janë: zbatimi i Kodit të Etikës së mësuesit, planifikimi i veprimtarive ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit, ngritja e këndit “Stop dhunës në shkollë” dhe ekipeve “antibulling” në çdo shkollë.
Gjithashtu, theksohet nevoja për monitorimin e komisioneve të etikës dhe disiplinës, si dhe organizimi i veprimtarive sensibilizuese më 21 nëntor, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës në Shkollë.
Në udhëzim theksohet po ashtu konsolidimi i rrjetit të mësuesve koordinatorë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në arsimin parauniversitar; raportimi në DRAP, brenda datës 30 maj 2026, sipas formateve të përcaktuara, të rasteve të dhunës në institucionet arsimore, të trajtuara nga komisionet e etikës, si dhe raportin informues për punën e bërë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.
Po ashtu kërkohet që prej institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ndalimin e përdorimit të telefonit celular në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare.
“Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ndalimin e përdorimit të telefonit celular në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare. Drejtoria e institucionit arsimor parauniversitar të marrë masa për të përfshirë në rregulloren e brendshme mënyrën e organizimit dhe marrjen e masave shtesë për zbatimin korrekt të akteve nënligjore përkatëse”, thuhet në udhëzim.
Ministria e Arsimit ka urdhëruar drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar të marrin masa për ngritjen dhe funksionimin e shërbimit psikosocial në institucionet arsimore, në zbatim të akteve ligjore në fuqi.
Institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, drejtuesve të IAP-ve dhe mësuesve u kërkohet që të ndjekin me përgjegjësi procesin e shpërndarjes dhe të shitjes së teksteve shkollore për të gjithë nxënësit para fillimit të procesit mësimor dhe të pajisjes me tekste shkollore në përdorim falas për klasat I–IX të arsimit bazë.
Për shpërndarjen e testeve shkollore udhëzimi përcakton se drejtoritë e IAP-ve duhet të afishojnë në vend të dukshëm listën e teksteve shkollore, ku të shënohen titulli, shtëpia botuese, çmimi i tekstit për çdo klasë, vendi ku do të shpërndahen tekstet, si dhe periudha e shpërndarjes sipas një grafiku për çdo klasë.
Burimi: botasot.info


