mijera piktura dhe nje jete dedikim historia e nje artisteje nga kosova 696b98f19fc3d

​Mijëra piktura dhe një jetë dedikim, historia e një artisteje nga Kosova

January 17, 2026
min lexim

Në këtë atelie të mbushur me ngjyra, kujtime dhe emocione, çdo pikturë rrëfen një histori. Kjo është bota e Violetës Goxha-Hoxha, artistes që prej gati katër dekadash e shijon artin jo vetëm si profesion, por si mënyrë jetese.

E diplomuar në vitin 1988 në Akademinë e Arteve, në drejtimin e pikturës, Violeta, për gjithë këtë kohë nuk iu nda kurrë krijimtarisë. Krahas punës si piktore, ajo kontribuon për vite me radhë edhe si profesoreshë e artit, duke ndikuar dhe frymëzuar breza të tërë nxënësish. Për të, atelia dhe klasa kanë qenë gjithmonë dy hapësira ku është ndjerë njësoj, si në shtëpi.

“Arti për mua nuk është vetëm profesion, por mënyrë jetese,” shprehet ajo.

Por, kjo rrugë për një grua, nënë dhe artiste, nuk ka qenë aspak e lehtë. Lodhja, dyshimet dhe momentet e dëshpërimit kanë qenë të pranishme, por dorëzimi kurrë. Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i suksesit të saj: guximi për të vazhduar dhe për ta sfiduar veten çdo ditë.

Me dekada punë pas vetes, Violeta Goxha-Hoxha ka krijuar mijëra piktura. Vetëm në tre vitet e fundit numri i tyre kalon mbi 500–600 punime, të formateve dhe madhësive të ndryshme.

Goxha-Hoxha: Arti për mua nuk është vetëm profesion, por është edhe si një mënyrë jetese

“Në vitin 1988 kam diplomuar në Akademinë e Arteve, drejtimi i pikturës. Edhe prej asaj kohe e ushtroj këtë profesion. Jam piktore, por edhe profesoreshë e artit edhe në të njëjtën kohë i bëjë të dyjat. Arti për mua nuk është vetëm profesion, por është edhe si një mënyrë jetese. Kështu që shumë mirë e gjej veten në të dyjat… Si grua, si nënë, si artiste, për mua nuk ka qenë e lehtë kjo rrugë. Ka pasur momente lodhje, dëshpërimi, mirëpo asnjëherë nuk mund të them që ka pasur dorëzim. E këtu është ai suksesi i punës time. Kështu që unë nuk dorëzona asnjëherë, se kam guxuar, domethënë e kam sfiduar veten që unë e bëj, edhe kam guxuar. Në ’88-ën kam diplomuar thashë edhe një herë, edhe prej asaj kohe unë mirrna me këtë punim. Unë nuk jam paragjykuar. Edhe e kam, e kam punuar me dëshirën më të madhe. Unë e thashë edhe më herët, ka lodhje, ka dyshime a do të arrijë, mirëpo të dorezohem jo. Asnjëherë”, rrëfen ajo.

Me kalimin e viteve, numri i pikturave është rritur aq shumë sa është vështirë të numërohen.

Goxha-Hoxha: Mundemi me thënë, mijëra piktura prej kur kam filluar këtë profesion kam punuar

“Ka mundësi me qindra. Po gabimi që nuk e kam mbajtur kështu një evidencë, megjithëse tash tre vjet e kam një evidencë, më dhimbet që nuk e kam prej fillimit kur ja kam nisur…ka më shumë se 500 apo 600 piktura (të punuara në tre vitet e fundit)…Mundemi me thënë, mijëra (piktura prej kur kam filluar). Me madhësi të mëdhaja, të vogla… Më pëlqejnë shumë motivet, ku e paraqes gruan…Unë përpara kam punuar, punime pak më ndryshe, me tematika më ndryshe, mirëpo pas luftës, ju kam kthyer këtyre punimeve që i shihni ju sot, jam kthyer në identitetin tonë. Kështu që më pëlqejnë shumë motivet, ku e paraqes gruan. Gruaja, për mua është si shtyllë e familjes, edhe me gjithë shpirt i jam përkushtuar këtyre punimeve të mia. Edhe shoh që pëlqehen shumë…Më pëlqen shumë se njerëzit janë vetëdijësuar sot që arti është mbi të gjitha. Edhe secili ka dëshirë me i pasur një pikturë në dhomën e tyre. Ose një pikturë që e dërgojnë si dhuratë. Domethënë, nuk po dërgohen më si përpara ëmbëlsira ose diçka tjetër, por sot te unë, porosisin piktura edhe ju çojnë si dhuratë. Si këtu, po edhe jashtë vendit. Jo veç këtu te ne, por edhe jashtë vendit dërgojnë, i dërgojnë pikturat e mia si dhuratë”, thotë ajo.

Pas luftës në Kosovë, arti i saj mori një drejtim edhe më të thellë identitar. Ajo iu kthye motiveve tradicionale, duke e vendosur gruan në qendër të krijimtarisë. Për Violetën, gruaja është shtylla e familjes dhe e shoqërisë – një simbol force, qëndrueshmërie dhe dashurie. Pikërisht këto punime janë edhe më të pëlqyerat nga publiku, brenda dhe jashtë vendit.

Çdo pikturë e saj është e punuar me emocion. Një nga më të dashurat për të është piktura “Mbesat”, ku ka shkrirë dashurinë e madhe për dy mbesat e saj, duke e kthyer veprën në një pjesë të shpirtit të saj.

E këto vepra kanë udhëtuar gjithandej globit.

Secili punim e ka nga një pjesë emocionale të Violetës

“Secili punim këtu që është edhe që janë shitur, te secili punim e kam nga një pjesë e emocionit tim. Unë e di te secili punim, kur e kam punuar, kush ka qenë për shembull afër meje, çfarë problemi kam pasur ose ato emocionet të gjitha i paraqes në këto punime. Se një punim nuk mundet me u punuar pa emocion. Atëherë nuk është ajo art, nuk është, nuk jam unë vetvetja aty…Thashë të gjitha punimet kanë emocione, përndryshe nuk kishin me qenë, nuk kisha me qenë unë vetvetja. Mundemi me e cekur pikturën Mbesat, se secila pikturë e ka emrin e vet. Pikturën mbesat, i kam dy mbesat e mia të mëdha edhe e kam punuar me kënaqësinë më të madhe. Domethënë si te secila pikturë, mirëpo ajo është pjesë e trupit, kështu që edhe në këtë punim e kam shkrirë atë emocionin tim edhe dashninë e madhe që e kam për mbesat e mia, por edhe në pikturë e kam paraqitur atë ndjesinë e brendshme time aq shumë që i dua… Pikturat e mia kanë shkuar në krejt botën. Në krejt botën. Prej Amerikës, mund të them, të gjitha vendet e botës….Në atelenë time kanë ardhur shumë emra të njohur, studenta, edhe nxënës, edhe gra…Ambasadorë kemi pasur, kryetarë të vendeve”, shprehet Goxha-Goxha.

Përveç krijimtarisë artistike, Violeta kontribuar edhe financiarisht në mbajtjen e familjes, shpeshherë duke fituar më shumë nga arti sesa nga puna në arsim.

Rruga e suksesit nuk ka qenë e lehtë. Si grua, nënë dhe artiste, ajo është përballur me lodhje, dyshime dhe vështirësi, por kurrë me dorëzim.

Fytyrat pa tipare të theksuara në pikturat e saj u japin mundësi shikuesve ta gjejnë veten brenda veprës, duke e bërë artin personal për secilin.

Goxha-Hoxha: Më shumë kam fituar me piktura, se nga puna në shkollë

“Po, edhe kam mbajtur familjen. Megjithëse unë punoj prej viteve të ’90-ta në shkollë, shkollë teknike, mirëpo baraz me piktura. Domethënë të dyjat. Po më shumë kam fituar me piktura se në rrogën që e kam marrë në shkollë. Po unë, po them edhe njëherë, suksesi për mua nuk është, nuk matet me famë ose me para, po matet me ndikimin që ju lë njerëzve pikturat e mia… Te secila pikturë e imja, unë veç ju paraqes fytyrën por pa fytyrë, pa sy, pa gojë, pa hundë. Domethënë secili lirisht, të pa personalizuara. Secili e gjen veten e vet. Bile tash keni një çift burrë e grua edhe e pëlqyen njërën prej pikturave me veshje, edhe tash ai thotë, unë jam ky, kjo thotë, unë jam kjo. T’ju kisha bërë fytyrat, ata nuk kishin mundur me i gjetur veten”, rrëfen ajo.

Në pikturat e saj, Violeta Goxha-Hoxha nuk përdor vetëm ngjyra. Ajo sjell kohën, kujtesën dhe historinë. Ajo punon kryesisht me ngjyra akril, duke i dhënë formë një arti dekorativ, të stilizuar, ku çdo detaj kërkon përkushtim dhe durim.

Pikturat e Violetës kanë motive të vjetra, dominojnë dyert

“Për momentin punoj me ngjyra akril. Edhe çmimet varen prej formatit. Varet ti sa i përkushtohesh, domethënë sa ka, se këto punimet e mia janë punime dekoruese si me thënë, kanë stilizime. Varet tash, varet prej madhësive, prej formave, prej…Çmimi më i vogël 50 euro e tutje…Po, varet tash prej madhësive, prej formës. 2 mijë, 2 mijë e 500…Te pikturat e mia unë i përdor edhe elemente të vjetra, sidomos e kam një cikël të dyerve. E në ato dyer i paraqes ato dorëzat, s’e di qysh ju kanë thënë përpara, po e kam një pikturë aty pas. Janë 250 vjeçare. Janë shumë të vjetra. E normal që edhe çmimi i atyre pikturave rritet. Kam piktura që i vendosi edhe këto si filigrane, po normal që edhe ato rritet çmimi i atyre pikturave”, shprehet Goxha-Hoxha.

Prej afro 40 vitesh, Violeta Goxha-Hoxha mbetet shembull i gjallë i një gruaje që nuk u dorëzua kurrë, që e ktheu pasionin në profesion dhe artin në shtyllë të jetës së saj, një storie suksesi që frymëzon.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

gaza e varrosur nen rrenoja 68 milione tone inerterindertimi 50 miliarde dollare 696b9804e8852
Lajmi i mëparshëm

Gaza “e varrosur” nën rrënoja, 68 milionë tonë inerte,rindërtimi 50 miliardë dollarë

vjen zarf i zi ne shtepine e big brother vip 696b9a1354134
Lajmi i radhës

Vjen Zarf i Zi në shtëpinë e Big Brother VIP

Të fundit nga

OpenAI nis testimin e reklamave në ChatGPT

OpenAI njoftoi se do të fillojë testimin e reklamave në versionin falas të ChatGPT për përdoruesit e regjistruar në SHBA mbi 18 vjeç. Reklamat do të shfaqen në fund të përgjigjeve dhe
ShkoLartë