Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar nga Brukseli se nuk ka garanci që ndryshimet kushtetuese do të jenë pengesa e fundit në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Duke folur në Forumin për Zgjerim „Evropë më e gjerë, Evropë më e fortë“, Mickoski tha se Maqedonia e Veriut ka qenë ndër vendet e para në procesin e zgjerimit, por prej vitesh përballet me kushte shtesë, të cilat, sipas tij, nuk kanë lidhje me proceset reformuese.
„Kërkesa e fundit për ndryshime kushtetuese është problematike, sepse nuk ka garanci se do të jetë e fundit“, deklaroi Mickoski.
Ai paralajmëroi se nëse ndryshimet kushtetuese motivohen nga përpjekjet për ndryshimin e identitetit maqedonas, atëherë vihet në pikëpyetje edhe kredibiliteti i vetë procesit të zgjerimit të BE-së.
Megjithatë, Mickoski theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje që do të tejkalonte pengesat aktuale. Ai shtoi se mbi 70 për qind e qytetarëve maqedonas e mbështesin anëtarësimin në BE.
Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në të njëjtin forum theksoi se pranimi i anëtarëve të rinj do ta bëjë Bashkimin Evropian më të fuqishëm dhe më të begatë.
Ajo nënvizoi se vendet kandidate duhet t’i ndiejnë përfitimet e integrimit evropian edhe para anëtarësimit të plotë.
Burimi: lajmpress.org



