Ylli i muzikës botërore, Beyoncé, ka shënuar një tjetër arritje historike në karrierën e saj, duke u bërë artistja e parë që arrin shifrën prej 100 nominimeve në çmimet prestigjioze Grammy.
Rekordi i ri erdhi pasi kënga e saj e papublikuar më parë, “Morning Dew (Donk)”, siguroi një nominim në kategorinë e performancës më të mirë solo R&B.
Këngëtarja e publikoi këngën më 4 korrik, në prag të 20-vjetorit të albumit të saj të dytë, “B’Day”. Kënga është shkruar nga Beyoncé, Pharrell Williams, The-Dream dhe Darius Dixon, ndërsa produksioni është realizuar nga Beyoncé dhe Williams.
Në këtë kategori, ajo do të përballet me Kehlani me këngën “Out the Window”, Victoria Monét me “Let Me”, Jill Scott me “Pressha” dhe Tems me “What You Need”.
Beyoncé vazhdon të mbajë edhe rekordin për numrin më të madh të çmimeve Grammy të fituara nga një artiste, me gjithsej 35 trofe. Në vitin 2023, ajo theu rekordin e mëparshëm prej 31 çmimesh, që mbahej nga dirigjenti Georg Solti.
Ndërkaq, në vitin 2024, me 11 nominime për albumin “Cowboy Carter”, ajo u bë artistja më e nominuar në historinë e Grammy-t, duke lënë pas bashkëshortin e saj, Jay-Z.
Karriera e saj në Grammy nisi në vitin 2000, kur grupi Destiny’s Child, pjesë e të cilit ishte edhe Beyoncé, mori dy nominime. Që atëherë, këngëtarja ka vazhduar të thyejë rekorde dhe të zgjerojë koleksionin e saj të çmimeve.
Burimi: botasot.info

