Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistën për podkastin „Rishtazi“, lidhur me rastin e ujit në Gostivar, theksoi se autoritetet kompetente konsultohen me ekspertë për situatën. Ai bëri të ditur se në komunë uji tashmë mund të përdoret për nevoja teknike, ndërsa së shpejti pritet të jetë i përshtatshëm edhe për pije. Njëkohësisht, ai theksoi se partitë politike nuk duhet të përhapin histeri.
„Të gjithë duhet ta kemi të qartë se bëhet fjalë për një përgjegjësi që i takon komunës dhe kjo është shumë e rëndësishme të konstatohet, sepse këto shërbime janë ekskluzivisht përgjegjësi e komunës. Ekziston një mënyrë se si komuna komunikon me institucionet shtetërore lidhur me kontrollet dhe procedurat e ngjashme. Sa i përket Gostivarit, që nga sot ka ujë për përdorim teknik. Gjatë ditëve të fundit parametrat kanë qenë pozitivë, në kuptimin që instalimet janë pastruar, përkatësisht i janë nënshtruar procesit të hiperklorinimit dhe nga sot qytetarët mund ta përdorin ujin për nevoja teknike, por jo për pije dhe përgatitje të ushqimit“, deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski shtoi se pritet që procesi i hiperklorinimit të vazhdojë edhe në ditët në vijim, në mënyrë që në gjysmën e dytë të kësaj jave uji të jetë i përshtatshëm edhe për pije dhe për përgatitjen e ushqimit.
Sa i përket përgjegjësisë, kryeministri Mickoski theksoi se drejtori i ndërmarrjes publike komunale në fjalë nuk emërohet nga Qeveria, por nga kryetari i komunës dhe shtoi se Prokuroria e kryen punën e saj për të përcaktuar përgjegjësinë.
„Një sjellje e tillë e papërgjegjshme është diçka që më së paku mund të pritet nga një person i emëruar për të drejtuar atë institucion. Atje nuk është sjellë në mënyrë të papërgjegjshme vetëm një person, por disa. Ju nuk mund të merrni një vendim dhe ta zbatoni vetë atë, pa marrë më parë urdhër ose pa kërkuar mbështetje logjistike nga persona të caktuar. Në këtë rast kemi të bëjmë me papërgjegjshmëri njerëzore“, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se në ekipin e tij është i rrethuar me ekspertë, me të cilët konsultohet për situatat dhe këshillat e të cilëve i zbaton dhe gjithashtu theksoi se u reagua me shpejtësi për të siguruar ujë të pijshëm për qytetarët dhe u shprehu mirënjohje qytetarëve dhe kompanive që dhuruan ujë, si edhe të gjithë atyre që treguan durim.
„Mirënjohje edhe për Qytetin e Shkupit dhe Ndërmarrjen Publike “Ujësjellësi”, e cila me ekipin e saj mori pjesë në procesin e hiperklorinimit për sigurimin e ujit për përdorim teknik, si dhe për të gjithë ata që treguan durim. Shpresoj që raste të tilla të mos ndodhin në të ardhmen. Prokuroria po e kryen punën e saj dhe tani do të shohim se kush mban përgjegjësi“, deklaroi kryeministri Mickoski.


