mickoski maqedonia po perballet me nje problem serioz demografik 6a346c2127e73

Mickoski: Maqedonia po përballet me një problem serioz demografik

June 19, 2026
min lexim

Maqedonia po përballet me problem serioz në lidhje me demografinë, vlerëson kryeministri Hristijan Mickoski. Brenda 20-25 vjetësh, vlerëson ai, vendit do t’i mungojnë ndoshta 150.000-250.000 njerëz, ndërsa dikush do të duhet ta mbushë këtë boshllëk. Prandaj, sipas tij, duhet të mendojmë për të ardhmen.

“Duhet të bëhen analiza dhe të mendohet disa dekada përpara, me qëllim që të rinjtë e aftë për punë të qëndrojnë në vend dhe të kontribuojnë në ekonominë vendore. Absolutisht do të vijë koha, ndoshta jo tani, por pas 15, 20–25 vjetësh, që pamja demografike në Maqedoni të ndryshojë tërësisht. Unë vlerësoj se nga perspektiva e sotme, pas 15, 20–25 vjetësh, Maqedonisë do t’i mungojnë ndoshta nga 150 deri në 250 mijë njerëz. Ku qëndron problemi? Ai është pjesë e një zinxhiri. Nëse Evropa ka problem me demografinë, dhe e ka madje më të madh se ne, atëherë një pjesë e potencialit tonë shkon atje. Pavarësisht zhvillimit të tyre të mëtejshëm si individë dhe si njerëz, ata krijojnë një zbrazëti këtu. Që kjo ekonomi të vazhdojë të zhvillohet, dikush duhet ta plotësojë atë hapësirë të zbrazët dhe është logjike që njerëz dhe punëtorë nga vende të treta të vijnë dhe ta mbushin atë boshllëk që do të lënë ata që largohen drejt Evropës Perëndimore. Prandaj, nëse në Evropën Perëndimore përmirësohet situata demografike dhe arrijmë në një normë fertiliteti prej 2,1, atëherë të rinjtë që janë të aftë për punë do të qëndrojnë këtu dhe do të kontribuojnë në ekonominë vendore”, potencoi Mickoski në podkastin “Ku janë paratë”.

Ai gjithashtu theksoi se, megjithëse kjo është një temë shumë e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të shtetit, kur flet për familjen dhe demografinë shpeshherë tallet dhe ofendohet nga, siç tha ai, struktura të caktuara që janë fundërrinë e shoqërisë, por kur udhëheq një shtet dhe dëshiron të lësh gjurmë, duhet të mendosh dhe të analizosh në afat të gjatë.

“Kur flas për familjen dhe kur flas për demografinë, ka struktura të caktuara në shoqëri, të cilat unë i quaj fundërrina e shoqërisë, që më përqeshin, më ofendojnë, shkruajnë keq për mua e kështu me radhë, por kjo është thjesht e ardhmja. Nëse ju sot nuk mendoni se çfarë do të ndodhë pas 50, 75 apo 100 vjetësh, atëherë nuk duhet të merreni me këtë punë, kërkoni ndonjë punë tjetër, ndonjë punë që bëhet dita ditës dhe vazhdoni. Nëse e udhëhiqni shtetin dhe Qeverinë, ju duhet t’i analizoni të gjitha aspektet disa dekada përpara, nëse dëshironi të jeni një njeri që lë gjurmë. Nëse dëshironi të jeni një mediokër në politikë dhe për fat të keq kemi pasur shumë të tillë, atëherë do të përfundojmë në këtë situatë”, theksoi Mickoski.

Burimi: alfax.mk

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

tom hanks zbulon se cilen skene nga cast away nuk mund ta shikoje 6a34697bbd8cd
Lajmi i mëparshëm

Tom Hanks zbulon se cilën skenë nga “Cast Away” nuk mund ta shikojë

taravari mos u lodhni me komisionin e venecias raporti evropian foli qarte 6a346d7155c68
Lajmi i radhës

Taravari: Mos u lodhni me Komisionin e Venecias, Raporti EVROPIAN foli qartë!

Të fundit nga

ShkoLartë