Kryeministri Hristijan Mickoski ka kritikuar ashpër ish-Prokurorinë Speciale Publike (PSP), duke e cilësuar themelimin e saj si një goditje serioze ndaj sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
Në një intervistë për TV21, Mickoski deklaroi se mosbesimi i qytetarëve ndaj drejtësisë ka rrënjë të hershme, duke përmendur periudhën 1994–1998, kur, sipas tij, pushteti i atëhershëm zgjodhi qindra gjykatës mbi baza politike, disa prej të cilëve vazhdojnë të jenë aktivë.
Si goditje të dytë, ai përmendi themelimin e Prokurorisë Speciale, të cilën e cilësoi si strukturë jokushtetuese.
“Nga ata që duhej të sillnin drejtësi, nuk pamë asgjë tjetër përveç spektaklit. Nuk mund të sillni drejtësi përmes padrejtësisë”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri theksoi se përgjegjësinë për krijimin e PSP-së e mbajnë të gjitha partitë që e mbështetën me konsensus, përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në.
Sipas tij, skandalet e mëvonshme, përfshirë rastin e njohur me valixhen me para, e thelluan edhe më shumë mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.
Burimi: lajmpress.org


