Konferenca e sotme për formalizimin e ekonomisë joformale nuk është vetëm një debat ekspertësh. Ajo është një bisedë për drejtësinë në shoqëri. Për besimin në sistem. Për atë nëse do të lejojmë që të ndershmit të ndëshkohen, ndërsa të pandershmit të përfitojnë.
Ekonomia gri nuk është një nocion abstrakt. Ajo është të ardhura të humbura për shtetin, por edhe më me rëndësi – mundësi e humbur për paga më të larta, spitale më të mira, shkolla moderne, pensione më të sigurta etj. Ajo krijon konkurrencë jo-lojale, e rrënon besimin në institucione dhe e demotivon secilin që punon ndershëm.
Qëllimi ynë është i qartë: ekonomia formale të bëhet më tërheqëse se joformalja. Të jetë më e lehtë, më e leverdishme dhe më e sigurt të punohet ligjërisht.
Në atë proces dua publikisht të shpreh mirënjohje të sinqertë ndaj ministres së financave, Gordana Koçovska Dimitrievska, për përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe disiplinën në menaxhimin e financave publike.
Në kohë presionesh ekonomike globale, rritje të kostove dhe pasigurish, Ministria e Financave siguroi stabilitet, kontroll dhe përmirësim të mbledhjes së të ardhurave.
Mirënjohje shpreh edhe ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Policisë Financiare etj. Veprimi i tyre i koordinuar dhe i forcuar në shtypjen e mashtrimeve tatimore, krimit financiar dhe rrjedhave ilegale dërgon një mesazh të qartë, e mesazhi është se ligji vlen për të gjithë. Nuk ka selektivitet. Nuk ka të privilegjuar. Secili që punon – duhet të kontribuojë.

