Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, gjatë llogaridhënies për 1 vjetorin e qeverisë VLEN, njoftoi arritje historike në rritjen e pagave dhe fillimin e një transformimi të plotë ekologjik në vend.
“Ky ka qenë viti i transformimit, ku paga minimale është rritur, ndërsa mësuesit, mjekët dhe policët kanë përjetuar rritjen më të madhe të pagave në dekada,” ka deklaruar Mexhiti, duke theksuar se kjo është një qeveri që u jep dinjitet atyre që kujdesen për shëndetin, arsimin dhe sigurinë e qytetarëve.
Ai bëri të ditur se vendi ka siguruar 52.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian përmes parafinancimit IPA, duke filluar hartimin e një Plani Kombëtar për mjedisin me objektiva të qarta dhe afate konkrete.
“Në terren, rezultatet tashmë ndihen: 55 milionë euro po investohen në ndërtimin e deponive sanitare moderne për t’i dhënë fund ndotjes masive nga mbeturinat e hedhura pa standarde,” ka thënë Mexhiti.
Sipas zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, janë duke u investuar projekte të ujësjellësit dhe kanalizimeve në çdo komunë, me fokus të veçantë në komunat shqiptare, për të garantuar ujë të pastër dhe sisteme higjienike të sigurta për të gjithë qytetarët.
Në fund, Mexhiti njoftoi vendosjen e autobusëve ekologjikë në qytete, të cilët do të reduktojnë ndjeshëm ndotjen e ajrit dhe do të sjellin një standard të ri në transportin publik, duke e kthyer këtë vit në një pikë kthese për zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit në vend.


