Në një pyetje të një gazetareje lidhur me deklaratën e kandidatit të BDI-së opozitare për kryetar në komunën e Çairit, Bujar Osmani, se kryeministri Hristijan Mickoski është një “albanofob”, kandidati i VLEN-it për kryetar në Çair, Izet Mexhiti ka dhënë një përgjigje të fortë që e nxori në shesh hipokrizinë e partisë së Ali Ahmetit.
“Po e shfrytëzoj këtë rast që ta pyes hapur Bujar Osmanin dhe Ali Ahmetin: A do të bëjnë qeveri me Hristijan Mickoskin, ashtu siç i qëndruan tërë kohën para dyerve? Me kë dëshironin pra të bëjnë qeveri? Pikërisht me Mickoskin. Ja tani hapur po i pyes se a do të ndalen apo do të vazhdojnë të qëndrojnë para dyerve të VMRO-DPMNE-së dhe para Mickoskit duke e lutur, edhe pa postin e kryetarit të Kuvendit, edhe me më pak ministra, ashtu siç po dëshmojnë edhe partnerët e tyre të dikurshëm që nuk janë më bashkë. A do të vazhdojnë të kërkojnë edhe më tej që me ‘albanofobin’ Mickoski të bëjnë qeveri? Ata duhet t’i japin përgjigje për këtë çështje opinionit”, theksoi Mexhiti.
Sipas Mexhitit, Bujar Osmani dhe Ali Ahmeti nuk kanë kredibilitet të flasin për patriotizëm, pasi e kanë humbur fytyrën duke u bërë pjesë e pazareve të ulëta për poste. Sipas tij, ata sot po mundohen të manipulojnë opinionin publik me akuza boshe, por qytetarët nuk harrojnë se BDI-ja për mbi dy dekada ka mbajtur peng interesat e shqiptarëve, vetëm për të ruajtur kolltuqet e saj.


