Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësues të VLEN-it, vizituan sot punimet për ndërtimin e Kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, menjëherë pas vendosjes së gurthemelit të autostradës Shkup–Bllacë.
Mexhiti theksoi se këto dy investime të mëdha përfaqësojnë dy dimensione të rëndësishme të zhvillimit: lidhjen infrastrukturore ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës dhe investimin në arsimin e lartë në gjuhën shqipe. Kampusi i ri i Universitetit “Nënë Tereza” paraqet investimin më të madh deri më sot në arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe do të krijojë kushte të reja për edukimin e gjeneratave të ardhshme.
“Brenda së njëjtës ditë, dy investime të mëdha bashkohen në një drejtim të qartë: dy rrugë drejt së ardhmes. Njëra na lidh me njëri-tjetrin, tjetra, përmes arsimit, na çon përpara. Këto nuk janë më premtime të shkruara në letër. Janë vepra që po ndërtohen dhe po marrin jetë para syve tanë,” deklaroi Mexhiti.
Vizita mori një simbolikë të veçantë pikërisht më 26 gusht, në ditëlindjen e Nënë Terezës, në Shkupin e saj të lindjes, ku po ndërtohet kampusi universitar që mban emrin e saj. Përmes investimeve në infrastrukturë dhe arsim po krijohen kushte për zhvillim, bashkëpunim dhe perspektivë afatgjatë për gjeneratat që vijnë.


