Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka akuzuar BDI-në për keqpërdorim të parimit të Badinterit, pasi kjo parti ka paralajmëruar bllokimin e Ligjit për provimin e jurisprudencës në Kuvend.
Në një reagim publik, Mexhiti ka theksuar se Badinteri është mekanizëm kushtetues i dalë nga Marrëveshja e Ohrit, i ndërtuar për të mbrojtur shqiptarët nga majorizimi dhe jo për t’u përdorur në përplasje partiake mes subjekteve politike shqiptare.
“Parimi i Badinterit nuk është mekanizëm i ndërtuar që shqiptari ta bllokojë shqiptarin. Badinteri nuk është instrument për gara partiake mes partive shqiptare”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka paralajmëruar se keqpërdorimi i votimit të dyfishtë për interesa partiake mund të krijojë precedentë të rrezikshëm edhe në të ardhmen, duke hapur rrugë për manipulimin e këtij mekanizmi dhe mbivotimin e shqiptarëve.
Mexhiti ka vlerësuar se është e papranueshme që Badinteri të përdoret për të bllokuar një ligj që, sipas tij, avancon të drejtat e shqiptarëve dhe u mundëson studentëve shqiptarë, për herë të parë në historinë e vendit, ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare.
Burimi: alfax.mk


