Me rastin e Ditës së Arsimit Turk, në Shkollën Fillore “Tefeyyuz” në Çair u organizua një aktivitet solemn kushtuar rëndësisë së arsimit në gjuhën amtare dhe rolit të tij në ruajtjen e identitetit kulturor. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njëherësh një nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN.
Mexhiti theksoi se Shkolla Fillore “Tefeyyuz” përfaqëson një institucion me traditë të gjatë në arsimin në gjuhën turke, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin arsimor dhe shoqëror të bashkësisë etnike turke në Maqedoninë e Veriut.
“Sot përcollëm mesazhin e respektit, barazisë dhe bashkëjetesës, duke riafirmuar përkushtimin institucional për mbështetjen e arsimit në gjuhën amtare si vlerë e përbashkët e shoqërisë sonë shumetnike”, ka thënë Mexhiti.
Mexhiti më tej ka theksuar se respektimi dhe avancimi i arsimit në gjuhën amtare për të gjitha bashkësitë etnike mbetet një nga shtyllat kryesore të barazisë dhe kohezionit shoqëror, si dhe një angazhim i përbashkët për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.


