“Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet strategjik i Maqedonisë së Veriut, ndërsa komunat kanë rol kyç në procesin eurointegrues dhe në zbatimin e reformave që e afrojnë vendin me familjen evropiane”, kështu është shprehur kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njëherësh edhe njëri nga bashkëkryetarët e VLEN-it.
“Sot ndodhemi në Bruksel, ku po mbahet sesioni i Komitetit të Përbashkët Konsultativ (JCC) pranë Komitetit Evropian të Rajoneve”, ka shkruar më tej Mexhiti.
Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti gjithashtu ka bërë të ditur se në këtë forum marrin pjesë përfaqësues të pushtetit lokal dhe rajonal nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga vendet kandidate për anëtarësim, me qëllim shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe diskutimin e sfidave që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Sipas Mexhitit, diskutimet janë përqendruar në rrugën drejt anëtarësimit, vazhdimin e reformave dhe fuqizimin e rolit të pushtetit lokal si partner i drejtpërdrejtë në përafrimin e standardeve lokale me ato evropiane dhe në përmbushjen e agjendës eurointegruese të vendit.


