Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se javën e ardhshme do të nisë realizimi i një prej projekteve kryesore infrastrukturore të kësaj komune, ndërtimi i bulevardit “Mit’hat Frashëri”.
Mexhiti, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot kanë inspektuar në terren segmentin ku do të zhvillohen punimet, duke bërë të ditur se tashmë janë vendosur pikat dhe se gjithçka është gati për fillimin e projektit.
Bulevardi do të shtrihet në një gjatësi prej mbi 1.4 kilometra, nga rruga “Xhon Kenedi” deri te bulevardet “Sllovenia” dhe “Bosnja e Hercegovina”.
Sipas Mexhitit, projekti parasheh ndërtimin e katër korsive të qarkullimit, trotuareve, infrastrukturës për biçikleta, kanalizimit atmosferik si dhe vendosjen e ndriçimit të ri publik.
“Një nga një, po i realizojmë projektet që i kemi premtuar për Çairin”, ka deklaruar Mexhiti, duke e cilësuar bulevardin e ri si një investim të rëndësishëm që pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe infrastrukturën në këtë pjesë të komunës.
Kryetari i Çairit ka theksuar se realizimi i projekteve do të vazhdojë edhe më tej, duke pretenduar se shumica e zotimeve të dhëna para qytetarëve tashmë janë në fazën e realizimit ose drejt përfundimit.
“Projekt pas projekti, deri në realizimin e plotë të asaj që u kemi premtuar qytetarëve të Çairit”, ka shkruar Mexhiti.


