Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka qëndruar sot për vizitë në Shkup, ku është pritur edhe nga kryetari i Komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, Izet Mexhiti.
Në kuadër të kësaj vizite, Mexhiti dhe Spiropali kanë ndaluar në sheshin që mban emrin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ku pranë bustit të tij kanë vendosur lule, duke shprehur respekt për historinë shqiptare dhe për figurën që simbolizon identitetin, qëndresën dhe unitetin kombëtar.
Sipas Mexhitit, ky moment shërben si rikujtim se vlerat mbi të cilat është ndërtuar rruga kombëtare shqiptare duhet të mbetet udhërrëfyes edhe sot, në kohë sfidash dhe përgjegjësish të reja.
Mexhiti gjithashtu ka theksuar se me këtë frymë, institucionet dhe faktorët politikë shqiptarë vazhdojnë të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe të forcojnë lidhjet ndërmjet dy shteteve, duke avancuar bashkëpunimin politik dhe institucional në funksion të interesave të përbashkëta.


