Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka lëshuar akuza të ashpëra në adresë të BDI-së për atë që e cilëson si depërtim të “botës serbe” në institucionet dhe shoqërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë viteve të qeverisjes së saj.
Mexhiti thotë se prej vitit 2021 kishte paralajmëruar për këtë rrezik, ndërsa sot, sipas tij, dokumentet zyrtare dëshmojnë se qeveria LSDM-BDI i kishte krijuar bazën ligjore dhe institucionale për ardhjen e Alta Bankës në vend.
Mexhiti e përmbledh atë që e quan “trinomi” i ndikimit serb në tri segmente: Politik përmes “Open Balkanit”, nëntokës përmes mafisë së bixhozit dhe financiar përmes sektorit bankar.
“Bota serbe, gjatë qeverisjes së BDI-së, gjeti zbatim aktiv”, shkruan Mexhiti, duke e akuzuar këtë parti se ka mundësuar atë që ai e quan “kapje të shtetit nga bota serbe”.
Mexhiti gjithashtu thotë se BDI-ja sot paraqitet si zëri kryesor nacionalist, ndërsa sipas tij, “po u bien maskat” për shkak të së kaluarës politike.
Në fund, bashkëkryetari i VLEN-it paralajmëron pasoja politike për përgjegjësit.
“Trinomi “Bota serbe – nëntoka serbe – banka serbe” ngadalë po demontohet. E për ata që na e shkaktuan këtë epidemi filoserbe, pasoja do të ketë, për këtë ju siguroj”, ka shkruar Mexhiti.


