Një mësuese, e cila mbeti rëndë e plagosur gjatë një incidenti me të shtëna në një shkollë në shtetin amerikan Oregonit, ka treguar se si u shtir si e vdekur për të mbijetuar.
Sulmi ndodhi të enjten e kaluar në shkollën fillore “Silver Rail” në qytetin Bend. Një mësuese dhe tre nxënës humbën jetën nga të shtënat, ndërsa një mësuese tjetër dhe një nxënës mbetën të plagosur, raporton ABC News.
Sipas policisë, një adoleshent fillimisht qëlloi mbi një kamionçinë të parkuar para shkollës dhe më pas qëlloi përmes një dere të mbyllur për të hyrë në ndërtesë. Sulmi ndodhi në një klasë për fëmijë me nevoja të veçanta.
Mësuesja e plagosur, 54-vjeçarja Becky Drury, shpjegoi se kishte vrapuar për të parë se çfarë po ndodhte, por u kthye në klasë sapo pa sulmuesin.
“U ktheva për të mbyllur derën, por ai ishte tashmë aty. Para se të mund të reagoja, ai më qëlloi nga afër dhe unë u rrëzova në dysheme. Nuk mund të ngrihesha, të mbrohesha apo të mbroja dikë tjetër. Bëra të vetmen gjë që mundja: u shtira si e vdekur, me shpresën se nuk do të më qëllonte sërish. Nuk pata asnjë mundësi për të reaguar”, deklaroi Drury.
Policia konfirmoi se tre djem të moshës 5, 8 dhe 11 vjeç si dhe një mësues 25-vjeçar, u vranë në shkollë. Autori ishte një 16-vjeçar i armatosur me një pushkë gjahu. Ai u vra nga babai i dy nxënësve, i cili e kishte ndjekur brenda në shkollë pasi e kishte parë duke qëlluar ndaj një kamioni jashtë ndërtesës.
Policia bëri të ditur gjithashtu se një mësuese tjetër, e cila nuk pësoi lëndime, ishte përpjekur të përballej me autorin. Kur ai hyri në klasë, ajo i hodhi telefonin celular, më pas e rrëzoi në dysheme dhe u përpoq t’ia merrte armën.
Hetimet janë në vazhdim. Policia njoftoi dje se ka kontrolluar shtëpinë e 16-vjeçarit dhe ka shqyrtuar pajisjet e tij elektronike, si dhe profilet në rrjetet sociale.
Është vërtetuar se pushka e përdorur në sulm ishte blerë në mënyrë të ligjshme, ndonëse policia nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme lidhur me armën.
Shkollat në zonë u rihapën dje për herë të parë që nga momenti i të shtënave.
Burimi: botasot.info


