mergimtaret perballen me kontrolle ne serbi ekspertet liria e levizjes nuk guxon te cenohet 6a4f5273c13aa

Mërgimtarët përballen me kontrolle në Serbi, ekspertët: Liria e lëvizjes nuk guxon të cenohet!

July 9, 2026
min lexim

Raportimet për kontrolle të shtuara, ndalime dhe arrestime të mërgimtarëve gjatë kalimit nëpër territorin e Serbisë kanë ngjallur shqetësim te qytetarët e Kosovës që udhëtojnë drejt vendeve të Evropës Perëndimore ose kthehen për pushime në vendlindje.

Sipas raportimeve, në muajt e fundit janë shtuar rastet kur qytetarët ndalohen për verifikime shtesë në pikat kufitare ose gjatë lëvizjes nëpër territorin serb.

Shqetësimet janë rritur veçanërisht në mesin e mërgimtarëve nga Kosova, të cilët shpesh e përdorin Serbinë si rrugë tranziti drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarëve që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që t`i përdorin rrugët alternative dhe ta shmangin kalimin përmes Serbisë.

Lushaj: Liria e lëvizjes është një e drejtë themelore dhe nuk duhet të kufizohet për arsye politike apo diskriminuese

Image

Adem Lushaj

Drejtori i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, Adem Lushaj, i cilëson shqetësuese raportimet për ndalime dhe kontrolle ndaj qytetarëve të Kosovës në kufirin me Serbinë, duke kërkuar dokumentim dhe hetim të pavarur.

Ai thekson se liria e lëvizjes duhet të respektohet dhe të mos kufizohet për arsye diskriminuese.

“Raportimet e shumta për ndalime të gjata, kontrolle të shtuara dhe trajtim jo të barabartë të qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare me Serbinë janë shqetësuese dhe meritojnë vëmendje serioze. Nëse këto raste janë të përsëritura dhe të bazuara në përkatësinë shtetërore të udhëtarëve, atëherë ato mund të përbëjnë trajtim diskriminues dhe cenim të parimit të lirisë së lëvizjes. Megjithatë, çdo pretendim duhet të dokumentohet dhe të hetohet në mënyrë të pavarur, në mënyrë që të ketë një pasqyrë të qartë dhe të bazuar në fakte.

Faktori ndërkombëtar, veçanërisht misionet dhe organizatat që monitorojnë të drejtat e njeriut, kanë përgjegjësi të ndjekin nga afër këto raportime, të verifikojnë faktet dhe të kërkojnë respektimin e standardeve ndërkombëtare. Liria e lëvizjes është një e drejtë themelore dhe nuk duhet të kufizohet për arsye politike apo diskriminuese”, u shpreh ai.

Lushaj kërkon që institucionet e Kosovës të mbledhin të dhëna dhe të mbështesin qytetarët përballë këtyre rasteve.

Ai paralajmëron se nëse raportimet konfirmohen, ato mund të dëmtojnë besimin dhe procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Institucionet e Kosovës, nga ana tjetër, kanë detyrimin të mbledhin të dhëna për çdo rast të raportuar, t’u ofrojnë mbështetje qytetarëve dhe, nëse konstatohet se këto praktika janë sistematike, të rishikojnë rekomandimet për udhëtimet transit nëpër Serbi, sidomos gjatë sezonit veror kur fluksi i mërgimtarëve është shumë i madh. Qëllimi nuk duhet të jetë krijimi i panikut, por informimi i qytetarëve dhe mbrojtja e sigurisë së tyre.

Nëse raportime të tilla vazhdojnë dhe konfirmohen, ato mund të ndikojnë negativisht në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ulin besimin ndërmjet palëve dhe të krijojnë pasiguri te qytetarët. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i lirisë së lëvizjes duhet të jetë një standard që zbatohet njësoj për të gjithë, pa dallim”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Gashi: Këto raportime duhet të merren shumë seriozisht

Lidhur me këtë temë, për “Bota sot” ka folur edhe analisti nga Gjermania, Eduard Gashi, i cili tha se raportimet për ndalime dhe kontrolle të mërgimtarëve në Serbi duhet të merren seriozisht, duke i cilësuar ato si trajtim diskriminues.

Image

Eduard Gashi

Sipas tij, Serbia nuk mund të flasë për normalizim, ndërsa ua vështirëson lirinë e lëvizjes qytetarëve të Kosovës.

“Këto raportime duhet të merren shumë seriozisht. Nëse qytetarët e Kosovës, sidomos mërgimtarët, ndalen me orë të tëra, kontrollohen në mënyrë selektive apo u bëhet presion vetëm për shkak të dokumenteve, targave apo origjinës së tyre, atëherë kjo nuk është thjesht çështje teknike kufitare, por trajtim diskriminues.

Serbia nuk mund të flasë për normalizim në Bruksel, ndërsa në praktikë ua vështirëson lirinë e lëvizjes qytetarëve të Kosovës. Mërgimtarët tanë nuk janë kërcënim. Ata janë familjarë që kthehen në vendlindje, njerëz që punojnë në Evropë dhe kontribuojnë shumë për Kosovën”, thotë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Gashi kërkon reagim më të madh ndërkombëtar dhe thotë se duhet transparencë e përgjegjësi për trajtimin e mërgimtarëve.

Ai thekson se Kosova duhet t’i informojë qytetarët për rreziqet gjatë udhëtimeve nëpër Serbi, pasi kjo situatë mund të dëmtojë më tej procesin e normalizimit.

“Faktori ndërkombëtar, BE-ja, OSBE-ja dhe organizatat për të drejtat e njeriut nuk duhet vetëm të vëzhgojnë në heshtje. Ata duhet të kërkojnë dokumentim, transparencë dhe përgjegjësi nga Serbia. Liria e lëvizjes është pjesë themelore e çdo marrëveshjeje evropiane.

Kosova duhet seriozisht të rishikojë rekomandimet për udhëtimet transit nëpër Serbi, sidomos gjatë verës kur fluksi i mërgimtarëve është shumë i madh. Qytetarët duhet të informohen qartë për rreziqet, vonesat dhe alternativat e mundshme.

Nëse kjo situatë vazhdon, ajo do të dëmtojë edhe më shumë marrëdhëniet Kosovë–Serbi dhe do ta bëjë edhe më të pabesueshëm procesin e normalizimit. Nuk ka normalizim real kur njëra palë përdor kufirin si mjet presioni politik”, përmbylli Gashi për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

shba godet 90 objektiva te tjera ushtarake iraniane 6a4f4e013a585
Lajmi i mëparshëm

SHBA godet 90 objektiva të tjera ushtarake iraniane

a po largohen kompanite gjermane nga vendi 6a4f535295cf0
Lajmi i radhës

A po largohen kompanitë gjermane nga vendi?

Të fundit nga

A po largohen kompanitë gjermane nga vendi?

Trendi i kompanive gjermane që zhvendosen jashtë vendit po dobësohet. Industria vazhdon të investojë jashtë vendit për shkak të kostove të larta. por sa kompani po largohen vërtet? Kompanitë gjermane ende po zhvendosin

SHBA godet 90 objektiva të tjera ushtarake iraniane

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se ka kryer një valë të re sulmesh ndaj infrastrukturës ushtarake iraniane, duke goditur rreth
ShkoLartë