Pushimet e fundvitit përfunduan dhe shumë bashkatdhetarë tashmë kanë marrë rrugë për t’u kthyer në vendet perëndimore ku jetojnë.
Përpos që po u duhet të presin për të kaluar fillimisht kufirin e Kosovës, e pastaj edhe kufij tjerë për të mbërritur në destinacionet e tyre, kësaj radhe ata janë përballur edhe me kushte të ashpra në rrugë.
Sipas lexuesve, rrugët në Kroaci janë pothuajse të bllokuara nga reshjet e borës.
Ata thonë se nuk kanë hasur ende në asnjë makinë për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ndërkaq, në Slloveni, mërgimtarët thonë se janë bllokuar tërësisht në Autostradën A1.
Thonë se bora që ka rënë ka bërë që të ngrihet krejtësisht rruga dhe që automjetet nuk po lëvizin fare.
Një qytetar që shkroi në adresë të redaksisë sonë, tha se kanë mbi 4 orë që kanë ngecur në këtë autostradë.
Ai madje tregoi se iu desh fillimisht të presë rreth 3 orë për të dalë nga Kosova dhe 7 orë të tjera për të hyrë në Kroaci.
“Tash jemi në Slloveni, jemi të bllokuar në autobanin A1 që 4 orë pa lëvizur fare dhe nuk është duke u marrë askush me ne. Që prej dje kur jemi nisë prej Kosovës, në orën 14, deri me tani kemi arritur t’i bëjmë vetëm 1000km. 3 orë kemi prit në Merdarë, 7 orë me hy në Kroaci dhe edhe pse gjatë rrugës kemi ecur shumë ngadalë, për shkak të kushteve atmosferike, jemi të bllokuar që 4 orë pa lëvizur asnjë metër në Slloveni”, tha ky mërgimtar.
Që të gjithë kanë bërë thirrje që bashkëkombësit tjerë që marrin rrugë për në shtetet e BE-së, të kenë kujdes dhe ta kenë parasysh situatën e krijuar në këto momente.
Burimi: botasot.info


