21
Shkup, 31 korrik – Kandidati i pavarur për kryetar të Strugës, Mendi Qira, është shprehur i bindur për fitoren e tij në zgjedhjet e ardhshme lokale. Në një intervistë për emisionin “10 MINUTA” në TV21, ai theksoi se fakti që ende nuk ka kundërkandidat tregon qartë se ai është zgjedhja më e mirë për qytetin.
“Vetë fakti që nuk kam ende kundërkandidat, tregon se qytetarët e dinë kush është më i miri,” u shpreh Qira.
Ai gjithashtu prezantoi disa nga projektet kryesore që synon t’i realizojë nëse merr mandatin e kryetarit. Prioritet për Qirën do të jetë ndërtimi i një rruge rurale-urbane që do të lidhë fshatin Dollgosht me qytetin e Strugës, për të cilën thotë se tashmë ka të siguruara mjetet financiare.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është ndërtimi i parkingjeve për mërgimtarët dhe turistët, ku fokusi do të jetë tek parkingjet nën tokë përmes partneritetit publik-privat.
“Kam plane konkrete dhe mjete për t’i realizuar, dhe besoj se këto projekte do ta ndryshojnë Strugën,” përfundoi Qira.
Burimi: zhurnal.mk


