Incidenti mes Vinícius Júnior dhe Gianluca Prestiani në ndeshjen mes Benfica dhe Real Madrid në UEFA Champions League ka shkaktuar reagime të forta në mediat ndërkombëtare, të cilat e kanë cilësuar episodin si një skandal që njollos futbollin.
E përditshmja argjentinase Olé e përshkroi atë që ndodhi në stadiumin Estádio da Luz si një “skandal”, duke raportuar se sulmuesi i Realit denoncoi Prestianin për një fyerje raciste pas golit të tij.
Në të njëjtën linjë ishte edhe TyC Sports, që theksoi se VAR nuk arriti ta konfirmonte incidentin dhe gjyqtari dha vetëm një paralajmërim.
Në Brazil, Globo Esporte vuri theksin te ankesa e Vinicius për racizëm dhe tensioni që pasoi në fushë.
Ndërkohë, Sky Sports raportoi për përballjen direkte mes dy lojtarëve menjëherë pas golit.
Në Angli, BBC citoi deklarata që e përshkruanin ngjarjen si “turp për futbollin”, ndërsa The Guardian theksoi se abuzimi i dyshuar racist errësoi fitoren e Real Madridit.
Në Francë, L’Équipe e përshkroi Vinicius si vendimtar, por njëkohësisht objekt fyerjesh.
Reagime të forta pati edhe në Portugali nga A Bola dhe Record, të cilat folën për kaos dhe konfuzion pas golit.
Në Gjermani, Bild theksoi gjestin e Prestianit gjatë debatit, ndërsa në Itali La Gazzetta dello Sport u ndal te tensioni i përgjithshëm dhe zbatimi i protokollit anti-racizëm.
Ngjarja ka hapur një debat të ri global mbi racizmin në futboll, me presion në rritje ndaj institucioneve për të marrë masa më të forta kundër incidenteve të tilla.
Burimi: botasot.info


