Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen solemne të Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha se shteti është ndërtuar falë sakrificës së shumë brezave.
Ai, në këtë përvjetor, theksoi përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës sot ndodhen padrejtësisht në Hagë, por kontributi i tyre për pavarësinë është i njohur dhe i çmuar.
“Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të harrojmë se disa prej përfaqësuesve që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së Republikës sonë sot ndodhen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i tyre për pavarësinë është i çmuar”, tha ai.
Kurti shtoi se sot nderohen të rënët për lirinë e Kosovës. Kryeministri theksoi se shteti i Kosovës është ndërtuar dhe qëndron mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë, barazisë dhe drejtësisë, prosperitetit dhe gjithëpërfshirjes. “Secili qytetar, pavarësisht gjuhës, etnisë, fesë apo përkatësisë, është i barabartë para ligjit”, tha Kurti.
Ai përmendi njohjet ndërkombëtare, që tani numërojnë 121 vende, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit; ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe në rritje; forcimin e ushtrisë dhe kapaciteteve mbrojtëse; sukseset ndërkombëtare në sport, art dhe kulturë; dhe pjesëmarrjen aktive në forume botërore.
Kurti foli gjithashtu për lëvizjen e lirë pa viza dhe hapat konkret drejt integrimeve evropiane, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, duke i cilësuar si arritje që na bëjnë krenarë të gjithë.
Ai tha se përforcimi dhe zhvillimi i shtetit tonë kërkon angazhim të përbashkët me punë, dije dhe integritet.
“Mësues e studentë, mjekë e punëtorë, ushtarë e policë, të rinj e të moshuar, gra e burra, vajza dhe djem, të gjithë duhet të japim maksimumin e kontributit tonë. Sepse këtë nga e ne e presin brezat që erdhën dhe për rininë e fëmijët e Kosovës, që të vazhdojnë të jetojnë të lirë dhe krenarë për vendin e tyre”, tha Kurti.
Burimi: botasot.info

