Drejtuesit e gjykatave do të raportojnë dy ditë para Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Në mbledhjen e sotme, të 349-ën me radhë, u bë e ditur se nga shtatori i këtij viti katër gjyqtarë do t’i shtohen Departamentit Special.
Këtë e konfirmoi kryesues i Këshillit, Albert Zogaj.
Ndërsa nga raportimi i drejtuesve të gjykatave në mbledhjen e sotme doli se normën më të ulët të efikasitetit në divizionin civil e ka Gjykata e Apelit.
Edhe pse gati në të gjitha gjykatat kishte rritje të normës së efikasitetit në raport me tre muajt paraprak, sfida kryesore për tremujorin prill-qershor, doli të ishte mungesa e stafit, përkatësisht të bashkëpunëtorëve profesionalë, edhe pse në fillimin e muajit korrik u emëruan 34 bashkëpunëtorë të rinj, raporton KosovaPress.
Gjykata e apelit në tremujorin e fundit ka pranuar 6051 lëndë të natyrës kontestimore civile prej të cilave janë zgjedhur 2551 lëndë.
Sipas kryetarit të gjykatës së Apelit, Valon Totaj problem kryesor i gjykatës së apelit rezulton të jetë shqyrtimi i lëndëve në divizionin civil e problem kryesor i divizionit civil del të jetë numri i madh i lëndëve të kontratave kolektive.
“Në krahasim me departamentet dhe divizionet e tjera që janë me performancë shumë optimale gjithsesi mbetet sfiduese edhe për një kohë të caktuar. Në shkallë 6-mujore ky efikasitet është në 40.3% respektivisht 62.2% në nivel të gjykatës ku prapë të gjitha departamentet dhe divizionet tjera janë në performance optimale apo edhe mbi optimale por departamenti i përgjithshëm i divizionit civil është dhe mbetet të jetë sfidues për shkak të numrit të madh të lëndëve të kontratave të ashtuquajtura që përbëjnë nga kontratat kolektive. Vetëm për këtë 3 mujor ju informoj se janë pranuar 6051 lëndë të natyrës kontestimore civile prej të cilave janë zgjedhur 2551 lëndë, poashtu janë pranuar edhe 450 lëndë të natyrës përmbarimore ndërsa janë zgjidhur 556 lëndë”, tha Totaj.
Një pikë që u përmend nga gjykata e apelit ishte progresi në shqyrtimin e lëndëve të vjetra, ku mbi 400 lëndë të kategorizuara si lëndë të vjetra janë përfunduar në 3 muajt e fundit.
“Gjykata e apelit në tremujorin e dytë të vitit 2025 ka arritur të reduktojë numrin e lëndëve të vjetra gjithësisht edhe të natyrës përmbarimore me gjithsej 556 lëndë të zgjidhura të kësaj natyre të vitit 2023 dhe 2024, prej tyre 48 lëndë të zgjidhura janë të vitit 2023 me çka janë përfunduar komplet lëndët e këtij viti dhe janë zgjidhur edhe 442 lëndë të vitit 2024, gjatë këtij tremujori Gjykata e Apelit i ka përfunduar 498 lëndë të vitit 2022 të cilat konsiderohen si lëndë të vjetra me planin strategjik të KGJK-së”, tha ai.
Ndryshe, në këtë mbledhje u tha se Gjykata e Apelit vazhdon të ketë numrin më të madh të publikimit të vendimeve.
Në anën tjetër gjykata me normën më të lartë të efikasitetit ishte ajosupreme që raportoi normën e efikasitetit 97% dhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme 267%.
Burimi: botasot.info


