Shtatë shtete anëtare të Bashkimit Europian i kanë bërë thirrje Brukselit që të përshpejtojë procesin për përdorimin e aseteve të ngrira ruse, me qëllim financimin e një kredie dëmshpërblimi për Ukrainën.
Letra drejtuar presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, është nënshkruar nga Estonia, Finlanda, Irlanda, Letonia, Lituania, Polonia dhe Suedia.
“Mbështetja për Ukrainën nuk është vetëm detyrim moral, por edhe interes ynë personal”, thuhet në mesazhin e vendeve nënshkruese, të cilat kërkojnë që Komisioni të ecë shpejt me propozimin për përdorimin e bilanceve të parave të gatshme të aseteve të bllokuara ruse për një kredi në ndihmë të Kievit.
Propozimi u prezantua javën e kaluar nga von der Leyen në Bruksel, si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të mbuluar rreth dy të tretat e nevojave financiare të Ukrainës për dy vitet e ardhshme – rreth 90 miliardë euro.
Plani parashikon që BE-ja të përdorë fitimet nga asetet e ngrira ruse të mbajtura në vendet e bllokut dhe t’ia transferojë Ukrainës në formë kredie. Një opsion tjetër është që BE-ja të marrë hua në tregjet e kapitalit për të siguruar fondet.
Top Channel
Burimi: top channel


