Prokuroria Themelore në Ferizaj, njoftoi sot se me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Përgjithshëm, janë ndaluar për 48-orë nëntë persona të dyshuar P.R, A.P, F.Z, D.H, B.E, T.S, D.H, R.H dhe D.M, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale mashtrimi.
Rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2026, në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë.
Të pandehurit duke vepruar si grup, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë vënë në lajthitje të dëmtuarit – shtetasit suedezë, duke i nxitur të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, përmes qendrave të thirrjeve ilegale Call Center, duke u paraqitur si ofertues të investimeve në kriptovaluata (Bitcoin), ashtu që pas investimit, mjetet e tyre janë transferuar në llogari të tjera të panjohura, me ç’rast të dëmtuarve iu është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.
Gjatë zhvillimit të aksionit, dy të pandehurit R.H dhe D.H, kanë sulmuar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, për çka dyshohen se kanë kryer edhe veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar.
Burimi: botasot.info


