Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas përjashtimit të tij dhe pesë deputetëve të tjerë të opozitës për 60 ditë nga punimet e Kuvendit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor dhunën për të shtypur protestat studentore.
Në një intervistë për News24, Këlliçi deklaroi se opozita kishte kërkuar që në Kuvend të diskutohej për protestat dhe kërkesat e studentëve, mes tyre largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike.
“Parashtrova në emër të PD-së pikën e parë të kërkesës së studentëve: largimin e Ramës, krijimin e qeverisë teknike. Ne kemi kërkuar që të respektohen kërkesat e studentëve. Kemi dashur që të diskutohej për atë çka ndodhte jashtë Kuvendit. Nuk mund të ketë normalitet parlamentar kur të rinjtë po rrihen brutalisht, po u thyhen kockat”, u shpreh Këlliçi.
Demokrati akuzoi kryeministrin se ka nxitur veprimet e policisë kundër protestuesve, duke pretenduar se deri më tani nuk ka pasur një kërkim falje nga ministri i Brendshëm, Policia apo vetë Rama për dhunën e denoncuar gjatë protestave.
Një tjetër çështje që Këlliçi kundërshtoi ishte pretendimi për lidhje të protestave studentore me lëvizjen ANTIFA. Ai e mohoi kategorikisht këtë lidhje, duke deklaruar se protesta u përket studentëve dhe të rinjve shqiptarë.
“Nuk ka lidhje ANTIFA me protestën e studentëve në Shqipëri”, tha Këlliçi, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të deformojë natyrën e protestës.
Ai pranoi se përfaqësues dhe mbështetës të Partisë Demokratike kanë marrë pjesë në tubime, por theksoi se opozita nuk pretendon se i organizon ato.
Burimi: botasot.info


