Ministri i Jashtëm i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, e quajti “shqetësues” një raport të pesë aleatëve europianë që akuzon Rusinë për vrasjen e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, përmes përdorimit të një toksine të nxjerrë nga bretkosa helmuese me shigjeta, duke shtuar se Uashingtoni nuk ka arsye ta vërë atë në dyshim.
“Natyrisht jemi në dijeni të raportit. Është një raport shqetësues. Ne e njohim çështjen e Navalnyt dhe sigurisht… nuk kemi asnjë arsye ta kundërshtojmë”, deklaroi Rubio para gazetarëve gjatë një konference për shtyp në Bratislavë, në kuadër të vizitës së tij në Sllovaki.
Në një deklaratë të përbashkët, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Suedia dhe Holanda njoftuan të shtunën se analizat e mostrave nga trupi i Navalnyt “konfirmuan përfundimisht” praninë e epibatidinës, një toksinë që gjendet tek bretkosat helmuese të Amerikës së Jugut dhe që nuk haset natyrshëm në Rusi.
Qeveria ruse, e cila ka mohuar vazhdimisht çdo përgjegjësi për vdekjen e Navalnyt gjatë kohës që ai mbahej në një koloni penale në Arktik dy vite më parë, i hodhi poshtë akuzat e fundit duke i cilësuar si “mashtrim propagandistik perëndimor”, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
I pyetur pse Shtetet e Bashkuara nuk iu bashkuan deklaratës së përbashkët, Rubio u përgjigj se bëhej fjalë për një nismë të vetë këtyre vendeve.
“Këto shtete arritën në këtë përfundim dhe e koordinuan mes tyre. Ne zgjodhëm të mos përfshihemi, por kjo nuk do të thotë se nuk pajtohemi me rezultatin. Thjesht nuk ishte një nismë e jona. Ndonjëherë vendet veprojnë të vetme bazuar në informacionin që kanë mbledhur”, tha ai.
“Nuk po e vëmë në dyshim dhe as po përballemi me këto vende për këtë çështje. Por ishte raporti i tyre dhe ato e bënë publik”, shtoi Rubio.
Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, ndërroi jetë në një koloni burgu në Arktik në shkurt të vitit 2024, pasi ishte dënuar për ekstremizëm dhe akuza të tjera, të cilat ai i kishte mohuar vazhdimisht.
Burimi: botasot.info


