Marina franceze ka sekuestruar 2,4 tonë kokainë në një anije në Polinezinë Franceze, gjatë një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftuan autoritetet e këtij territori francez të Paqësorit jugor.
Sekuestrimi i 100 pakove me kokainë, i realizuar në det të hapur me mbështetjen e një avioni ushtarak, e çon në rreth 12 tonë sasinë e kokainës së kapur në ujërat polineziane brenda një muaji.
Bëhet fjalë për tre sekuestrime të mëdha, nga dy deri në pesë tonë secila, në anije të ndryshme, si dhe 473 kilogramë të zbuluara në një kontejner në portin e Papeete.
Sipas autoriteteve, droga nuk ishte e destinuar për Polinezinë Franceze, por trafikantët përdorin ujërat e saj si korridor tranziti nga vendet prodhuese në Amerikën Latine drejt tregjeve të konsumit në Paqësor, si Zelandë e Re dhe sidomos Australie.
Ashtu si në operacionet e fundit, lënda narkotike u shkatërrua në det.
“Në përputhje me praktikat e zbatueshme në të drejtën ndërkombëtare dhe në koordinim me Prokurorinë e Papeetes, anija dhe ekuipazhi i saj rifilluan lundrimin”, thuhet në njoftimin e Përfaqësuesit të Lartë të territorit, pa dhënë detaje mbi flamurin e anijes apo origjinën e saj.
Në vitin 2025, marina franceze ka sekuestruar 87.6 tonë drogë në mbarë botën (+81% krahasuar me një vit më parë), përfshirë 58 tonë kokainë shifra rekord.
Burimi: botasot.info


