Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka shpërndarë deklaratën e kryeministrit Albin Kurti nga mbledhja e Qeverisë, lidhur me vendimin për ndalimin zyrtar të blerjes së energjisë elektrike nga Serbia.
Kurti ka bërë të ditur se ky vendim vjen për të ndaluar blerjen e energjisë nga Serbia, ndërsa ka sqaruar se Kosovës nuk i nevojiten linjat ndërkufitare për import të energjisë nga ky shtet, por për tranzitin e energjisë së blerë në vendet e tjera.
Ai ka theksuar se Serbia prej vitesh bllokon shfrytëzimin e linjave ndërkufitare me Kosovën, duke shkaktuar dëme financiare dhe vështirësi për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
Ndërkaq, ministrja Artane Rizvanolli ka sqaruar se KOSTT dhe KEK nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe gjatë qeverisjes aktuale.
Postimi i tij:
1. KOSOVA NUK KA BLERË ENERGJI ELEKTRIKE NGA SERBIA, POR BLERJA E SAJ NUK KA QENË E NDALUAR (PËR KOMPANITË);
2. NGA SOT, BLERJA E ENERGJISË ELEKTRIKE NGA SERBIA ËSHTË EDHE ZYRTARISHT E NDALUAR (PËR TË GJITHË);
3. SERBIA ASNJËHERË NUK NA ËSHTË DASHUR SI BURIM PËR BLERJEN E ENERGJISË ELEKTRIKE, POR SI RRUGA MË E SHKURTËR PËR TRANZITIN E ENERGJISË SË BLERË NË BURSËN HUPX NË HUNGARI.
Kryeministri Kurti:
Pas katër javësh, më 14 dhjetor 2026, saktësisht, bëhen plot 6 vite prej se sistemi ynë elektroenergjetik fitoi pavarësinë e plotë energjetike. Që nga ajo kohë, Serbia bllokon alokimin komercial dhe tregtimin me linjat ndërkufitare me Kosovën, duke shkaktuar dëme financiare, por në kohë të caktuara edhe duke rrezikuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk na pengon sepse duam të blejmë energji nga Serbia, mirëpo ajo e pamundëson shfrytëzimin e kësaj infrastrukture kritike për të sjellë energjinë tranzit nga shtetet e tjera.
Pra, dy linjat e interkoneksionit 400 kilowoltëshe, të cilat i ka bllokuar Serbia, neve nuk na duhen të hapura në mënyrë që të importojmë prej saj, por në mënyrë që ato të shfrytëzohen për tranzit, për qarkullimin e lirë të energjisë elektrike, e cila me bllokimin e Serbisë, e ka fituar një mur në vend të telave të shpërndarjes, në vend të linjave të interkoneksionit.
Ministrja Rizvanolli:
Dua ta qartësoj edhe një gjë. Kjo nuk do të thotë që ne deri tash kemi pasur shkëmbime të energjisë elektrike me Serbinë.
Siç e kam thënë edhe shumë herë më herët, ndërmarrjet tona publike, KOSTT dhe KEK, nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe përgjatë qeverisjes sonë.
Burimi: botasot.info


