Me më shumë se një mijë trupa të vrarë ose të plagosur çdo ditë, nuk ka asnjë shenjë se shtytja e Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po zvogëlon përplasjet në terren. Përkundrazi. Shefi ushtarak i Ukrainës thotë se Vladimir Putin po e përdor fokusin e presidentit amerikan tek negociatat e paqes si “mbulesë”, ndërsa trupat ruse përpiqen të pushtojnë më shumë territor.
Kjo nënkupton presion edhe më të madh në vijën e frontit, edhe pse liderë rusë dhe amerikanë, amerikanë dhe ukrainas, apo ukrainas dhe evropianë po shfaqen me buzëqeshje para kamerave, teksa pas dyerve të mbyllura zhvillojnë bisedime të vështira në Moskë, Alaska dhe Londër.
Putini nuk mbështetet te paqja
Mungesa e çdo treguesi se Kremlini synon të ngadalësojë makinerinë e tij ushtarake rrit rrezikun që lufta të përhapet përtej kufijve të Ukrainës.
Nevojitet një përpjekje e madhe për ta futur një vend në gjendje lufte – siç ka bërë Putini, duke mobilizuar pjesërisht popullsinë, duke i dedikuar një pjesë të madhe të buxhetit ushtrisë dhe duke riorganizuar industrinë për prodhimin e armëve dhe municioneve. Por një transformim i tillë është po aq i vështirë të kthehet mbrapsht në kohë paqeje.
Nëse një vend zgjedh të mos ulë nivelin e mbrojtjes edhe pasi luftimet ndalen, ai vazhdon të rrisë forcat e armatosura dhe rezervat ushtarake – një shenjë e qartë se nuk synon paqen, por një pauzë për të rifilluar sulmet.
Mungesa e çdo sinjali nga Moska për ngadalësimin e ritmit të operacioneve, me mbi 710,000 trupa të vendosura përgjatë një vije fronti prej 780 miljesh, tregon se Putini parashikon më shumë konflikt, jo më pak.
Si mund të mbarojë lufta?
Zhvillimet në Evropë do të varen nga përmbajtja e çdo marrëveshjeje paqeje për Ukrainën.
Një disfatë e plotë e Rusisë është pothuajse e pamundur pa një ndryshim të ndjeshëm të qëndrimit të Shtëpisë së Bardhë nën Trump dhe një rritje masive të furnizimit me armë.
Opsioni tjetër më i mirë për Ukrainën mund të jetë një marrëveshje që synon ekuilibër midis objektivave të palëve, duke ndalur luftimet përgjatë vijës aktuale të kontaktit, përpara bisedimeve substanciale. Kjo do të kërkonte garanci të forta sigurie për Ukrainën nga Evropa dhe SHBA-ja.
Por një hap i tillë do të kërkonte që aleatët evropianë të NATO-s – Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania – të rikthejnë ushtritë dhe popullatat e tyre në mentalitet lufte, duke u përgatitur realisht për konflikt, nëse Moska teston vendosmërinë e tyre.
A do të arrijë Starmer të flasë hapur me publikun?
Kjo nënkupton rritje shumë më të shpejtë të shpenzimeve për mbrojtjen – veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar – si dhe një gatishmëri të shoqërisë për të përballuar sakrifica.
Franca tashmë paralajmëron hapur se prindërit mund të humbasin fëmijët në një luftë me Rusinë. Gjermania kërkon që të gjithë 18-vjeçarët meshkuj t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore për shërbim të mundshëm kombëtar.
Ndërkohë, Sir Keir Starmer nuk ka zhvilluar ende një bisedë të tillë të drejtpërdrejtë me publikun britanik. Shefi i tij ushtarak ka thënë se “gatishmëria për luftë” është prioritet, por kjo mbetet një shprehje e paqartë për qytetarët e zakonshëm.
Ushtritë luftojnë beteja. Vendet luftojnë luftëra.
Skenari më i keq
Një alternativë shqetësuese është një Evropë e lënë jashtë procesit të negocimit dhe një Ukrainë e detyruar të pranojë kushte që favorizojnë Moskën, duke përfshirë dorëzimin e territorit në Donbas. Një marrëveshje e tillë, edhe nëse tolerohej nga Ukraina – gjë pothuajse e pamundur pa trazira të rënda – do të përfaqësonte vetëm një pauzë përpara një sulmi të ri rus kundër pjesës së mbetur të Ukrainës ose kundër kufijve të NATO-s, duke nisur nga shtetet baltike.
Strategjia e re e sigurisë së Trump, që parashikon ndërhyrjen amerikane në mbrojtje të Evropës vetëm nëse përputhet me interesat e SHBA-së, e bën të pasigurt mbështetjen te Neni 5 i NATO-s.
Për të modeluar se si mund të zhvillohej një luftë me Rusinë pa SHBA-në, Sky News dhe Tortoise zhvilluan një lojë lufte që simulon një sulm rus ndaj Mbretërisë së Bashkuar.
Në këtë skenar, SHBA-ja nuk ndërhyn – duke e lënë Britaninë me shumë pak opsione përveç një reagimi bërthamor.
Burimi: botasot.info


