Ngushtica e Hormuzit – kjo ngushticë detare është itinerari më i rëndësishëm i anijeve për transportin e naftës. Hormuzi midis Omanit dhe Iranit lidh Gjirin Persik dhe shtetet eksportuese të naftës Bahrein, Kuvajt, Katar, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me Oqeanin Indian.
Anijet çisternë mbërrijnë këtu nga shumë vende të botës. Shumica transportojnë naftën bruto nga rajoni i Gjirit Persik për në Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut.
Pika më e rëndësishme e këtij itinerari është ajo ndërmjet Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, brezi më i ngushtë me një gjerësi prej 55 kilometrash, dhe korsia e lundrimit për anijet e mëdha është vetëm 3,7 kilometra.
Ngushtica e Hormuzit kyç për interesat strategjike në rajon
Edhe në të shkuarën në kontekstin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit, Teherani vazhdimisht ka kërcënuar me mbylljen e ngushticës Hormuz. E njëjta gjë po ndodh edhe në konfliktin aktual. Sipas ekspertëve të ekonomisë, në rast se ngushtica e Hormuzit e përfshirë tani nga lufta mbetet e bllokuar rrezikohet ndjeshëm e gjithë ekonomia botërore. Teherani e konsideron këtë rrugë detare si çelësin kryesor për sigurimin e interesave strategjike në rajon në jug të Iranit dhe të Gjirit Persik.
Përmes rrugës së Hormuzit transportohet një e pesta e konsumit botëror të naftës
Hormuzi zë vendin e dytë ndër itineraret më të rëndësishme në botë për transportin e naftës si rruga Malacca dhe Kanali i Suezit.
Një humbje nga bllokimi i kësaj rruge detare si pasojë e konfliktit aktual do të ishte e vështirë të kompensohej. Pasoja janë rritja e çmimit të naftës e benzinës, që gjithësesi ditët e fundit janë shtrenjtuar.
Po ashtu mund të krijoheshin ngushtica në zinxhirin e furnizimeve për shumë produkte nga nafta. Prishja e këtij zinxhiri mund t’i krijojë vështirësi ekonomisë në shumë vende të botës./DW
Burimi: opinion.al


