Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar pas deklaratave të fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar atë se ka konfirmuar se ndryshimet kushtetuese dhe heqja e formulimit “20 për qind” nuk janë pjesë e agjendës së Qeverisë, ndërsa ka kërkuar nga koalicioni VLEN të pranojë dështimin dhe të marrë përgjegjësi për premtimet e pambajtura.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Lloga rikujton se tre vjet më parë shumica parlamentare, sipas tij, tregoi përgjegjësi politike duke mbështetur detyrimet që rridhnin nga Propozimi Francez dhe procesi i integrimit evropian.
“Tre vjet më parë, shumica parlamentare tregoi përgjegjësi politike ndaj detyrimeve që buronin nga Propozimi Francez dhe rruga drejt BE-së. Ndërkohë, VMRO zgjodhi populizmin izolues si rrugë për pushtet, duke rrezikuar t’i humbë vendit edhe një dekadë dhe duke i shtyrë të rinjtë drejt mërgimit”, shkruan Lloga.
Ai gjithashtu rikujton qëndrimet e dikurshme të partive opozitare shqiptare, të cilat sot janë pjesë e koalicionit VLEN, duke thënë se ato kishin premtuar heqjen e formulimit “20 për qind” nga Kushtetuta.
“Partitë opozitare shqiptare të atëhershme, sot VLEN, përmes konferencave për media thanë se do ta hiqnin edhe formulimin famëkeq ‘20 për qind’. Mbrëmë, kryeministri Mickoski ua bëri të qartë se as ndryshimet kushtetuese, as heqja e ‘20 për qind’ nuk janë në tavolinë”, thekson ai.
Në fund të reagimit, Lloga ngre pyetjen nëse përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri do ta pranojnë këtë si dështim apo do të vazhdojnë, sipas tij, të arsyetojnë partnerin qeveritar.
“A thua përkthyesit e tij shqiptarë do ta pranojnë dështimin apo do të vazhdojnë ta arsyetojnë, sikur kanë bërë këto dy vite, duke mos marrë asnjë përgjegjësi?”, përfundon ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
Burimi: lajmpress.org


