Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar lart përkushtimin e zjarrfikësve në përballje me zjarret që kanë përfshirë disa zona të komunës, si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësisë së madhe.
Në një deklaratë publike, Lladrovci i quajti zjarrfikësit “heronj që mbrojnë pronën publike dhe private” dhe theksoi rëndësinë e angazhimit të tyre në parandalimin e përhapjes së flakëve.
Ai bëri të ditur se zjarri në malin e Goleshit (Sankoc) po vazhdon me intensitet më të ulët, ndërsa në Gjergjicë situata mbetet më e rrezikshme, pasi zjarri është shpërndarë edhe në pjesën e Balincës në komunën e Malishevës.
“Gjatë ditës së djeshme kanë intervenuar 6 zjarrfikës nga Drenasi, 6 nga Prishtina, 4 nga Lipjani dhe 27 ushtarë të FSK-së”, tha ai.
Lladrovci theksoi se zjarrfikësit janë në terren dhe po përballen me flakët në mënyrë të pandalshme, ndërsa Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjente po kujdeset që ata të furnizohen me ushqim dhe pije të nevojshme.
“Sikur të isha në Kosovë, do të isha krah zjarrfikësve – heronjtë e këtyre ditëve”, përfundoi kryetari Lladrovci, duke shprehur mbështetje të plotë për përpjekjet e tyre.
Burimi: botasot.info


