liria eshte edhe pergjegjesi mesazhi i hazirit ne naten e tete te protestes 6ab42d3312791

“Liria është edhe përgjegjësi” – mesazhi i Hazirit në natën e tetë të protestës

September 23, 2026
min lexim

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të veprojnë sa më shpejt ndaj kërkesave të protestuesve, duke paralajmëruar se “durimi po përfundon”.

Duke folur në natën e tetë të protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Haziri kërkoi trajtimin dhe votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetje financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

“Mosveprimi i institucioneve nuk mund të zgjasë pafund. Sepse ne nuk e durojmë padrejtësinë. Populli nuk e duron heshtjen. Pritjes sonë po i vjen fundi. Durimi ynë po përfundon. Nga ky shesh u themi institucioneve: Veproni sa më shpejt! Mos e ngatërroni qetësinë tonë të deritanishme me dobësi!”, deklaroi Haziri.

Ai tha se protestuesit do të vazhdojnë të mblidhen derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje.

“Dikush ka menduar se do të dilnim një natë. Dikush ka menduar se pas dy-tri netësh do të lodheshim. Dikush ka pritur që ky shesh të zbrazej. Por le ta shohin këtë shesh sonte! Jemi ende këtu!”, tha ai.

Haziri falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen gjatë tetë netëve të protestës, duke thënë se tubimet janë shprehje e mbështetjes për UÇK-në dhe kundërshtimit ndaj asaj që protestuesit e konsiderojnë padrejtësi nga Dhomat e Specializuara.

“Çdo natë populli erdhi në shesh, sepse UÇK-ja është e popullit dhe populli është i UÇK-së”, u shpreh ai.

Në një pjesë të fjalimit, Haziri përmendi edhe familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke thënë se protestuesit po solidarizohen me mungesën e tyre nga familjet.

“Hashimi sonte nuk kthehet në shtëpi. Kadriu sonte nuk kthehet në shtëpi. Rexha sonte nuk kthehet në shtëpi. Jakupi sonte nuk kthehet në shtëpi”, tha Haziri.

Ai shtoi se “liria është edhe përgjegjësi”, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos heshtin dhe të vazhdojnë mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre.

“Ndoshta sonte nuk na dëgjoni. Por dijeni: Kosova nuk ju ka harruar! Populli juaj është këtu! Fëmijët tuaj nuk janë vetëm! Familjet tuaja nuk janë vetëm!”, u shpreh Haziri.

Në fund, organizatori i protestës bëri thirrje për pjesëmarrje edhe më të madhe në ditët në vijim.

“Nesër duhet të jemi më shumë! Pasnesër edhe më shumë! Derisa kërkesat tona të marrin përgjigje!”, tha ai, duke e përmbyllur fjalimin me thirrjen “Jo në emrin tim!”.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ajdini beteja per ish kreret e uck se duhet te jete juridike jo folklorike 6ab416ad3e5ed
Lajmi i mëparshëm

Ajdini: Beteja për ish-krerët e UÇK-së duhet të jetë juridike, jo folklorike

ambasadorja e be se takon celen nje prokurori e pavarur thelbesore per sundimin e ligjit 6ab42daf51a97
Lajmi i radhës

Ambasadorja e BE-së takon Çelën: Një Prokurori e pavarur, thelbësore për sundimin e ligjit

Të fundit nga

ShkoLartë