Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, ku në fokus ishin sfidat me të cilat përballet sistemi i prokurorisë në vend.
Ambasadorja Moreira de Sousa bëri të ditur se diskutimi u përqendrua te garantimi i drejtësisë për qytetarët dhe lufta kundër krimit.
“Drejtësia dhe lufta kundër krimit nisin me një sistem drejtësie të fortë dhe funksional. Pata një diskutim shumë të mirë me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, mbi sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi i prokurorisë në garantimin e drejtësisë për qytetarët dhe në luftën kundër krimit”, shkruan ajo.
Ajo theksoi gjithashtu se “një prokurori e pavarur, me burimet e nevojshme dhe efikase është thelbësore për sundimin e ligjit dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”.
Burimi: botasot.info


