lideret evropiane theksojne nevojen per ti mbrojtur interesat e ukraines para takimit trump putin 689869d7c7f28

Liderët evropianë theksojnë nevojën për t’i mbrojtur interesat e Ukrainës para takimit Trump–Putin

August 10, 2025
min lexim

Udhëheqësit evropianë e kanë përshëndetur vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por theksuan nevojën për ta vazhduar trysninë mbi Moskën dhe për t’i mbrojtur interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës.

Trumpi do të takohet me Putinin në Alaskë të premten, për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje që mund ta zgjidhë konfliktin gati katërvjeçar.

Hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme nuk janë bërë të ditura, por Trumpi tha se ajo do të përfshinte “disa shkëmbime territoresh për përfitimin e të dyja palëve”.

Marrëveshja mund të kërkojë që Ukraina t’i dorëzojë pjesë të mëdha të tokës së vet, gjë që, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatëve të tij evropianë, vetëm sa do ta nxiste agresionin rus.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, u takua të shtunën në Londër me ministrin e Jashtëm britanik, David Lammy, dhe përfaqësues të Ukrainës dhe aleatëve evropianë për të diskutuar për përpjekjet e Trumpit për paqe.

Në një komunikatë të përbashkët të shtunën mbrëma, udhëheqësit e Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë, Britanisë, Finlandës dhe presidentja e Komisionit Evropian, mirëpritën përpjekjet e Trumpit, duke theksuar ndërkohë nevojën për ta ruajtur mbështetjen për Ukrainën dhe presionin mbi Rusinë.

“Ne ndajmë bindjen se një zgjidhje diplomatike duhet t’i mbrojë interesat jetike të sigurisë së Ukrainës dhe Evropës”, thuhet në komunikatë.

“Ne pajtohemi se këto interesa jetike përfshijnë nevojën për garanci të forta dhe të besueshme sigurie që ia mundësojnë Ukrainës ta mbrojë në mënyrë efektive sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, theksuan ata, duke shtuar: “Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën”.

Udhëheqësit deklaruan se “mbeten të përkushtuar ndaj parimit që kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.

Ata theksuan se negociatat mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose uljeje të armiqësive.

Zelensky tha të dielën se Kievi “vlerëson dhe mbështet plotësisht” deklaratën e përbashkët të udhëheqësve evropianë për arritjen e paqes në Ukrainë, duke mbrojtur interesat ukrainase dhe evropiane.

Ukraina dhe BE-ja kanë kundërshtuar propozime që i shohin si lëshime të tepërta ndaj Putinit, i cili dërgoi trupat ruse në Ukrainë në shkurt 2022.

Rusia e justifikon luftën me arsyetimin e asaj që e quan kërcënim ndaj sigurisë së saj nga orientimi i Ukrainës drejt Perëndimit.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë thonë se pushtimi është një grabitje tokash në stilin imperialist.

Moska i pretendon si të vetat katër rajone ukrainase: Luhanskun, Donjeckun, Zaporizhjan dhe Hersonin – si dhe gadishullin e Detit të Zi, Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

grenell thote se trump do te perfshihet hap pas hapi ne ceshtjen e kosoves 689868ec3ce8f
Lajmi i mëparshëm

​Grenell thotë se Trump do të përfshihet hap pas hapi në çështjen e Kosovës

dy te tretat e gati 10 milione eurove per zgjedhjet jane te destinuara per media per reklama politike 68986d20a9da1
Lajmi i radhës

Dy të tretat e gati 10 milionë eurove për zgjedhjet janë të destinuara për media për reklama politike

Të fundit nga

ShkoLartë