Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur publikisht për zhvillimet e fundit rreth “rastit Negreira”, çështje që prej vitit 2023 e ka vendosur klubin katalanas nën hetim për korrupsion ndaj gjyqtarëve.
Gjykata spanjolle ka cilësuar pagesat milionëshe të Barcelonës drejt Jose Maria Enriquez Negreira – ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve – gjatë viteve 2001-2018, si të dyshimta dhe potencialisht të paligjshme.
Në proces kanë dëshmuar figura të rëndësishme si Javier Enriquez, djali i Negreirës, si dhe ish-presidentët Sandro Rosell dhe Josep Bartomeu.
Laporta insiston se klubi është i pastër:
“Rasti do të vijojë derisa gjyqtari të marrë vendimin përfundimtar. Deri tani nuk ka asnjë provë që Barça ka korruptuar gjyqtarë. Çdo vendim i dhënë deri më sot e mbështet këtë.”
Ai kritikoi palët që po e zgjatin artificialisht procesin:
“Ne u shpallëm fajtorë para se të niste gjyqi. Jam i bindur se Barcelona do të lirohet nga akuzat. Ka individë dhe institucione që duan ta mbajnë këtë çështje gjallë.”
Laporta mohoi fuqishëm pretendimet se Barcelona ka fituar përmes ndikimit te gjyqtarët, duke theksuar:
“Për 72 vjet, brenda komitetit të gjyqtarëve ka pasur gjithmonë një përfaqësues të Real Madridit. Me ndikimin që ka Madridi, fitoret tona kanë qenë edhe më domethënëse.”
Presidenti blaugrana iu referua edhe deklaratave të kreut të La Ligës, Javier Tebas:
“Tebas ka thënë hapur se Real Madridi mund të ndikojë te gjyqtarët përmes televizionit të tij. Ndoshta ia vlen të shqyrtohen nga afër transmetimet e tyre.”
Çështja mbetet ende e hapur, por Barcelona dhe Laporta vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin se nuk ka pasur korrupsion dhe se drejtësia do t’i japë fund akuzave
Burimi: botasot.info


