Kur ajatollahu Ali Khamenei qeveriste në Iran si udhëheqës suprem, ai ushtronte një pushtet absolut mbi të gjitha vendimet që lidhen me luftën, paqen dhe negociatat me Shtetet e Bashkuara. Djali i tij dhe pasardhësi, nuk e ka të njëjtin rol. Ajatollahu Mojtaba Khamenei është një figurë e pakapshme: që nga emërimi i tij në mars, nuk është shfaqur publikisht dhe nuk ka folur. Në vend të tij, vendimet kyçe për sigurinë, luftën dhe diplomacinë merren nga një grup i përbërë nga komandantë të Gardës Revolucionare Islamike dhe figura të tjera të afërta me ta.
“Mojtaba e drejton vendin si të ishte drejtori i një bordi administrativ”, thotë Abdolreza Davari, një politikan që ka qenë këshilltar i Mahmoud Ahmadinejadit gjatë presidencës së tij dhe e njeh Khamenein. “Ai mbështetet shumë te sugjerimet dhe orientimet e anëtarëve të këtij bordi; të gjitha vendimet merren kolektivisht”, shton Davari në një intervistë telefonike nga Teherani. “Anëtarët e bordit janë gjeneralët.”
Ky përshkrim i strukturës së re të pushtetit në Iran bazohet në intervista me gjashtë zyrtarë të lartë iranianë, dy ish-zyrtarë, dy persona të lidhur me Gardën Revolucionare, një klerik të rëndësishëm që njeh mirë dinamikat e brendshme të sistemit dhe tre persona pranë Khameneit. Nëntë të tjerë të lidhur me Gardën dhe qeverinë kontribuuan për të përshkruar strukturën e komandës. Të gjithë folën në kushte anonimiteti, për shkak të ndjeshmërisë së temave.
Iran, frikë për sigurinë
Mojtaba Khamenei, i zgjedhur nga një këshill klerikësh të moshuar si udhëheqësi i ri suprem, është fshehur që nga 28 shkurti, kur forcat izraelite dhe amerikane bombarduan kompleksin ku jetonte babai i tij dhe ku banonte edhe ai me familjen. Përveç të atit, në sulm u vranë edhe gruaja dhe djali i tij.
Sot është jashtëzakonisht e vështirë të kontaktohet me të; qasja është e kufizuar në një rreth shumë të ngushtë. Ai është i rrethuar kryesisht nga një ekip mjekësh dhe infermierësh që kujdesen për plagët e tij. As drejtuesit e Gardës Revolucionare dhe as zyrtarët e lartë qeveritarë nuk e vizitojnë, nga frika se Izraeli mund të gjurmojë lëvizjet e tyre dhe ta vrasë. Presidenti Masoud Pezeshkian, që është edhe kardiokirurg, si dhe ministri i Shëndetësisë janë të përfshirë në trajtimin e tij.
Edhe pse është plagosur rëndë, sipas katër zyrtarëve të lartë iranianë, Khamenei është mendërisht i kthjellët dhe aktiv. Ai është operuar tre herë në një këmbë dhe pret të vendosë një protezë. Ka kryer gjithashtu një ndërhyrje në dorë, nga e cila po rimerr gradualisht veten. Fytyra dhe buzët i janë djegur rëndë, ndaj e ka të vështirë të flasë dhe në të ardhmen do të ketë nevojë për kirurgji plastike.
Ai nuk ka regjistruar asnjë mesazh video apo audio, sepse nuk dëshiron të shfaqet i dobët në fjalimin e tij të parë publik. Ka dhënë disa deklarata me shkrim, të publikuara online dhe të lexuara në televizionin shtetëror. Mesazhet për të shkruhen me dorë, vulosen në zarfe dhe dërgohen përmes një zinxhiri korrierësh të besuar, që udhëtojnë me makina dhe motoçikleta nëpër rrugë kryesore dhe dytësore deri në vendndodhjen e tij të fshehtë. Përgjigjet e tij kthehen në të njëjtën mënyrë.
Për shkak të shqetësimeve për sigurinë, plagëve dhe vështirësisë për t’u kontaktuar, Khamenei ua ka deleguar vendimmarrjen gjeneralëve, të paktën për momentin. Si fraksionet reformiste ashtu edhe ato më të ashpra vazhdojnë të marrin pjesë në diskutimet politike. Por analistët thonë se lidhjet e ngushta të Khameneit me ushtrinë, të krijuara gjatë luftës Iran-Irak, i kanë bërë ata forcën dominuese.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se lufta dhe vrasja e disa figurave kyçe të sigurisë dhe liderëve iranianë kanë sjellë një “ndryshim regjimi” dhe se drejtuesit e rinj janë “më të arsyeshëm”.
Në realitet, Republika Islamike nuk është rrëzuar. Sot pushteti është në duart e një strukture ushtarake të fortifikuar dhe të paepur, ndërsa ndikimi i klerikëve është në rënie. “Mojtaba nuk e ka ende kontrollin e plotë”, shpjegon Sanam Vakil, drejtuese për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Chatham House. “Ndoshta ka njëfarë respekti ndaj tij. Ai firmos ose është pjesë formale e strukturës vendim-marrëse. Por në këtë moment përballet me vendime të marra tashmë.”
Në një fjalim televiziv më 18 prill, kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, ish-gjeneral i Gardës Revolucionare dhe negociator kryesor me SHBA-në në Pakistan, tha se propozimi amerikan për marrëveshjen bërthamore dhe planin e paqes, si dhe përgjigjja iraniane, i ishin paraqitur Khameneit dhe se mendimi i tij ishte marrë parasysh në vendim-marrje.
Në Iran nuk ka kundërshtime
Trupi i Gardës së Revolucionit Islamik, i krijuar për të mbrojtur revolucionin islamik të vitit 1979, ka grumbulluar pushtet duke siguruar role të larta politike, përfshirje në sektorë kyç të industrisë, kontroll mbi operacionet e inteligjencës dhe duke u lidhur me grupe të armatosura në Lindjen e Mesme, që ndajnë armiqësinë e Iranit ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Por me Ali Khamenein në krye, Garda duhej ende t’i përmbahej vullnetit të tij si udhëheqës fetar dhe njëkohësisht komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura. Ai i forcoi dhe, me kalimin e kohës, ato u bënë një instrument dhe shtyllë e pushtetit të tij.
Vrasja e Khameneit në ditën e parë të luftës krijoi një boshllëk dhe një mundësi. Në betejën për pasardhës, Garda u rreshtua me Mojtaba Khamenein, duke luajtur një rol vendimtar në emërimin e tij si udhëheqësi i tretë suprem i Iranit.
Garda ka shumë mjete për të ushtruar pushtetin. Komandanti i përgjithshëm është gjenerali Ahmad Vahidi. Gjenerali Mohammad Bagher Zolghadri, i emëruar së fundmi në krye të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, është një ish-komandant i Gardës i njohur për qëndrimet e ashpra. Gjenerali Yahya Rahim Safavi ka qenë këshilltari kryesor ushtarak si i Ali Khameneit, ashtu edhe i të birit.
“Mojtaba nuk është suprem; mund të jetë një udhëheqës në letër, por jo suprem si i ati”, thotë Ali Vaez, i cili ndjek Iranin në International Crisis Group dhe ka një rrjet të gjerë kontaktesh në vend. “Mojtaba është i varur nga Garda e Revolucionit, sepse pozicioni i tij dhe mbijetesa e sistemit varen prej tyre.”
Zyrtarët e intervistuar thonë se gjeneralët e shohin luftën me SHBA-në dhe Izraelin si një kërcënim për mbijetesën e regjimit dhe, pas pesë javësh luftimesh të ashpra, besojnë se e kanë vënë nën kontroll. Në çdo moment ata kanë orientuar strategjinë dhe përdorimin e burimeve. Kanë tronditur ekonominë globale duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe kanë përdorur çdo fitore si levë për të mposhtur rivalët politikë brenda vendit.
Sipas disa zyrtarëve të mirëinformuar, presidenti dhe qeveria e tij janë lënë mënjanë dhe janë ftuar të merren vetëm me çështjet e brendshme, si sigurimi i ushqimeve dhe karburantit dhe funksionimi normal i vendit. Abbas Araghchi, shtojnë ata, është margjinalizuar në negociatat që kishte zhvilluar me Shtetet e Bashkuara para luftës. Vendin e tij e ka zënë Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetari i parlamentit.
Udhëheqësi i ri suprem është përshtatur me situatën, pothuajse pa kundërshtuar vendimet e gjeneralëve, sipas burimeve. Ishin Gardianët ata që projektuan sulmet iraniane kundër Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik, si dhe mbylljen e ngushticës për trafikun detar. Ishin po ata që pranuan armëpushimin e përkohshëm dhe miratuan diplomacinë informale dhe negociatat e drejtpërdrejta me Uashingtonin.
Ata zgjodhën Ghalibafin nga radhët e tyre për të udhëhequr bisedimet me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance në Islamabad. Për herë të parë, disa gjeneralë të Gardës ishin pjesë e delegacionit iranian në negociatat me Shtetet e Bashkuara.
Njerëzit e batalionit
Sipas zyrtarëve dhe tre personave të tjerë që e njohin Mojtaba Khamenein, qasja e tij e përmbajtur ndaj grupit lidhet pjesërisht me faktin se është i ri në rolin e udhëheqësit: i mungon pesha politike dhe prestigji fetar që e bënë të atin një figurë kaq të veçantë. Por kjo lidhet edhe me marrëdhëniet e tij të thella me ushtrinë.
Kur ishte 17 vjeç, Mojtaba Khamenei doli vullnetar për të luftuar në luftën Iran-Irak. Ai u caktua në një brigadë të Gardës Revolucionare të quajtur batalioni “Habib”. Kjo përvojë la shenja, duke krijuar lidhje që zgjatën gjithë jetën. Me kalimin e kohës, shumë prej njerëzve të atij batalioni morën role të rëndësishme në ushtri dhe në shërbimet e fshehta.
Khamenei përfundoi studimet në teologji, duke arritur gradën e ajatollahut (studiues dhe jurist i besimit shiit). Ai punonte në kompleksin e të atit, duke koordinuar operacionet ushtarake dhe të inteligjencës, një rol që forcoi lidhjet e tij me gjeneralët dhe drejtuesit e shërbimeve sekrete. Ndër miqtë e tij më të afërt nga batalioni “Habib” janë ish-shefi i inteligjencës së Gardës, kleriku Hossein Taeb, dhe gjenerali Mohsen Rezaei, komandanti i tij në vitet ’80. Edhe Mohammad Bagher Ghalibaf është një mik i vjetër.
Sipas burimeve, për vite me radhë Khamenei, Taeb dhe Ghalibaf takoheshin një herë në javë për dreka të gjata pune në zyrat e ajatollahut, duke u bërë të njohur si “trekëndëshi i pushtetit”. Kjo treshe u akuzua nga një klerik më i moderuar, Mehdi Karroubi, se kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009, në të cilat ai ishte kandidat, duke manipuluar rezultatet në favor të presidentit në detyrë, Mahmoud Ahmadinejad. Karroubi humbi dhe rezultati i votimit shkaktoi muaj të tërë trazirash, protestash dhe dhune.
Një mesazh për qytetarët
Fraksioni ekstremist, edhe pse jo dominues, është kundër çdo lëshimi, i bindur se nëse Irani vazhdon të luftojë, ai do të mposhtë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara. Mbështetësit e tij kanë mbushur rrugët, duke premtuar se do të sakrifikohen për Republikën Islamike. Kur Abbas Araghchi njoftoi në rrjetet sociale rihapjen e ngushticës, ata akuzuan ekipin negociator për tradhti.
Më radikalët mbështesin Saeed Jalilin, një kandidat presidencial ultrakonservator që është përjashtuar nga procesi vendimmarrës, por që vazhdon të ketë ndikim, edhe mbi televizionin shtetëror, i cili drejtohet nga vëllai i tij. Disa kanë kërkuar që Mojtaba Khamenei të japë një mesazh për të konfirmuar para qytetarëve se është në favor të negociatave me Uashingtonin. Gjatë një manifestimi në Teheran, turma brohoriste: “Komandant, na jep urdhrin dhe ne do ta ndjekim”.
Në mbrëmjen e 18 prillit, Mohammad Bagher Ghalibaf u shfaq në televizion për të siguruar se Khamenei ishte i përfshirë në vendimmarrje. Ai përdori një ton sfidues, por pragmatik, duke thënë se Irani ka arritur disa suksese ushtarake, por se ky është momenti për t’i shfrytëzuar këto arritje në negociatat diplomatike.
“Ndonjëherë shoh njerëzit tanë të thonë se i kemi shkatërruar”, tha Ghalibaf. “Jo, nuk i kemi shkatërruar; këtë duhet ta kuptoni. Sukseset tona ushtarake nuk do të thonë se jemi më të fuqishëm se Shtetet e Bashkuara.” Farnaz Fassihi – New York Times / Bota.al
Burimi: botasot.info


