Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në Konferencën XXII të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural, e cila po mbahet në Mitrovicë nga 29 shtatori deri më 1 tetor. Konferenca organizohet nga Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovica (IBCM), në bashkëpunim me Rrjetin Evropian për Zhvillimin Rural.
Në fjalën e tij, Kurti ka theksuar rëndësinë e zhvillimit rural për Kosovën, duke përmendur tokën pjellore, burimet natyrore, traditën bujqësore dhe potencialin njerëzor të vendit.
Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë jeton në zona rurale, ndërsa bujqësia, blegtoria, përpunimi i ushqimit dhe bizneset e vogla rurale përbëjnë burim të rëndësishëm të të ardhurave për shumë familje.
Kurti ka thënë se Qeveria po investon në bujqësi dhe zhvillim rural, me synimin që sektori të kalojë nga një model i mbështetjes kryesisht të bazuar në sipërfaqe dhe numër krerësh, drejt një sistemi që nxit prodhimin, cilësinë, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.
“Përkundër vështirësive, nga sfidat strukturore e deri te ndryshimet klimatike, synimi ynë është që, përveçse ta mbështesim, ta transformojmë bujqësinë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur gjithashtu nevojën për investime në ujë dhe ujitje, shëndetin e tokës, si dhe në kapacitetet e përpunimit dhe magazinimit. Sipas Kurtit, këto investime do t’u mundësonin fermerëve që t’u shtojnë vlerë produkteve të tyre, në vend të eksportimit të produkteve të papërpunuara dhe importimit të produkteve të gatshme.
Kryeministri ka theksuar edhe rëndësinë e ndërtimit të një sistemi ushqimor ku siguria e konsumatorëve, konkurrenca e ndershme në treg dhe besimi në institucionet publike janë parime themelore.
“Fshati i zhvilluar dhe bujqësia produktive janë parakusht i shtetit të fortë dhe ekonomisë së qëndrueshme, sikurse shoqëria e shëndoshë kërkon sistem ushqimor të sigurt”, ka përfunduar Kurti.
Burimi: botasot.info


