Policia ka njoftuar shkurt se është duke kompletuar dokumentacionin e nevojshëm për ta kallëzuar penalisht Fidan Salihin nga Kumanova i cili më 28 maj e goditi për vdekje 13 vjeçarin Agan Asani derisa ky i fundit ishte me trotinet elektrik në magjistralen Kumanovë-Shkup, përkatësisht në fshatin Çerkez.
“Pas kompletimit të provave materiale në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike ndaj personit F.S do të ketë kallëzim penal”. – Ministria e Punëve të Brendshme.
Ditë më parë Alsat M raportoi ekskluzivisht se në analizat e gjakut Fidan Salihi ka rezultuar pozitiv në përdorimin e lëndëve narkotike. Raporti nga Departamenti për Ekespertiza Forenzike i është dorëzuar Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë. Nga rrethanat e deritanishme dhe mjetet e grumbulluara si prova materiale, duke përfshi edhe ekspertizat konkrete, rezulton se Agan Asani u godit nga 25 vjeçari në aksin e vjetër rrugorë Kumanovë-Shkup, përkatësisht në fshatin Çerkez pranë xhamisë së re. Aksidenti ka ndodhur më 28 maj në orën 21:06 minuta, ndërsa Salihi dyshohet të ketë drejtuar makinën të paktën tre fish mbi shpejtësinë e lejuar. Në aksin ku ka ndodhur aksidenti, duke pasur parasysh e së bëhet fjalë për vendbanim, shpejtësia e lejuar maksimale është 30km/h. Në vendin e ngjarjes, pak metra nga lokacioni ku është goditur 13 vjeçari për vdekje, ka të vendosura tabela që kufizojnë shpejtësinë e lejuar me 30km/h, ndërsa paraprakisht ka edhe pengesa apo në gjuhën policore të njohura si “policë të shtrirë”.
Televizioni Alsat posedon incizimin i cili dëshmon momentin e goditjes për vdekje, por për shkak të ndjesisë së hetimit, i njëjti nga ana jonë nuk do të publikohet. Agan Asani ndërroi jetë më 28 maj pak minuta pasi u godit për vdekje me makinë të cilën po e drejtonte Fidan Salihi. /Alsat.mk
Burimi: lajmpress.org


