Vizita e ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, në Shkup, e realizuar me ftesë të ish-ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, është vlerësuar si pjesë e strategjisë afatgjatë të Rusisë për rishikimin e kufijve në Evropë. Këtë qëndrim e artikuloi analisti i gjeopolitikës Ilir Kulla në podcastin “PIKË”, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë vizitë me interesat strategjike ruse në Ballkan.
Në diskutimin me publicistin Veton Surroi, u theksua se lufta në Ukrainë nuk është një konflikt i izoluar, por vazhdimësi e një projekti rus që synon ndryshimin e rendit territorial evropian përmes forcës dhe ndikimit politik. Sipas Kullës, ky projekt ka nisur që nga viti 2008 me Abhazinë dhe ka kulmuar në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë, duke shfrytëzuar dobësinë dhe naivitetin e Perëndimit.
Në këtë kontekst, Kulla theksoi se ardhja e Lavrovit në Shkup, me ftesë të Bujar Osmanit, nuk ishte një veprim i rastësishëm diplomatik, por pjesë e përpjekjeve të Moskës për të zgjeruar ndikimin e saj politik në Ballkan dhe për të testuar terrenin për ide që lidhen me ndryshimin e kufijve.
Nga ana tjetër, Veton Surroi rikujtoi deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin, i cili shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e ka cilësuar si “fatkeqësinë më të madhe” për Rusinë, duke nënvizuar se ambicia për “korrigjim kufijsh” vazhdon të udhëheqë politikën ruse edhe sot. Sipas tij, kjo qasje përbën rrezik serioz jo vetëm për Ukrainën, por edhe për rajone të tjera, përfshirë Ballkanin.


