Kulla Eiffel është mbyllur të hënën pasi punonjësit hynë në grevë, pas pretendimeve se punonjëset gra ishin larguar nga vendet e tyre të punës gjatë vizitës së një grupi fetar hindu.
Sipas Euronews, rasti lidhet me vizitën e rreth 100 personave të lidhur me lëvizjen hindu Bochasanwasi Akshar Purushottam Swaminarayan Sanstha (BAPS).
Përfaqësuesja e sindikatës, Diane Davoine, tha se punonjëset gra ishin “larguar nga vendet e tyre të punës teksa delegacioni kalonte pranë tyre”.
Punonjësit e Kullës Eiffel thanë se udhëzimet kishin çuar në “mënjanimin, zëvendësimin dhe bërjen të padukshme të punonjëseve për shkak të gjinisë së tyre”.
SETE, kompania që menaxhon Kullën Eiffel, pranoi se delegacioni kishte kërkuar që vizita të organizohej duke kufizuar “ndërveprimet me gratë”, duke shtuar se “këto kushte nuk duhej të ishin pranuar”.
Tempulli hindu BAPS në Paris tha se i merr seriozisht shqetësimet e ngritura dhe kërkoi falje për “çdo shqetësim apo bezdi të shkaktuar”.
Edhe kryetari i Parisit, Emmanuel Grégoire, e cilësoi të papranueshme pranimin e kushteve të tilla dhe bëri të ditur se do të niset një hetim për incidentin.
Presidentja e Asamblesë Kombëtare, Yaël Braun-Pivet, gjithashtu e dënoi rastin.
“Refuzoj të pranoj që grave t’u thuhet të largohen për t’iu përshtatur kërkesave të vizitorëve të huaj”, tha ajo.
Faqja zyrtare e Kullës Eiffel njoftoi se monumenti është mbyllur për shkak të “rrethanave të jashtëzakonshme”.
Burimi: botasot.info


