Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar sot publikisht koalicionin qeverisës VLEN për fitoren historike në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si një triumf të punës së ndershme dhe të qeverisjes së pastër.
Në një status në rrjetet sociale, Kurti ka shkruar se nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna, falë përkushtimit dhe transparencës së dy liderëve të saj, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, të cilët, siç tha ai, ngadhënjyen me meritë dhe me diferencë të thellë.
“Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen me diferencë të thellë,” ka shkruar Kurti.
Kryeministri i Kosovës e vlerësoi këtë sukses si konfirmim të qeverisjes së mirë të VLEN-it dhe si shprehje të qartë të vullnetit për ndryshim te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se në vetëm 15 muaj qeverisje, ky koalicion ka dëshmuar integritet të plotë, pa korrupsion, pa skandale dhe me dallim etik nga qeveritë e kaluara.
Sipas Kurtit, fryma e re e politikës së pastër ka sjellë edhe një bashkëpunim të hapur dhe shumëdimensional mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që nga takimet ndërqeveritare e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, duke forcuar më shumë se kurrë raportet fqinjësore dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Në fund, kryeministri Albin Kurti ka shkruar se Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoninë e Veriut, të cilat, sipas tij, janë dëshmi e perspektivës evropiane të shqiptarëve dhe të gjithë shtetit fqinj.


