Protesta e 19-të ka nisur sot e ndarë në dy fronte, studentët përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa protesta e thirrur nga PD para kryeminsitrisë në Tiranë.
Studentët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ndërsa protestuesit demokratë kanë marshuar drejt Kryeministrisë, ku kanë qëndruar rreth 30 minuta në mbështetje të protestës studentore, por vetë kryetari i PD-së Sali Berisha nuk ka marrë pjesë.
Pasi qëndruan rreth 30 minuta përpara Kryeministrisë, protestuesit demokratë, me deputetët e opozitës në krye, u nisën drejt Ministrisë së Arsimit, ku ndodheshin studentët.
Sapo protestuesit e udhëhequr nga deputetët e opozitës mbërritën në hyrje të Rrugës së Durrësit, ka pasur përplasje verbale me një protestues, i cili ka kërkuar nga deputetët e opozitës të largoheshin.
Pas tensioneve të para mes dy grupimeve, studentët dhe protestuesit e PD-së kanë vijuar të qëndrojnë në zonën e Rrugës së Durrësit.
Situata më pas është tensionuar para Ministrisë së Arsimit. Prej rreth një ore, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve që të ndalojnë hedhjen e gurëve dhe sendeve të forta drejt efektivëve.
Sipas thirrjeve të policisë, grupi që po hedh sende të forta është i maskuar dhe personat janë identifikuar. Ata janë paralajmëruar se do të përballen me ligjin, ndërsa protestuesve të tjerë u është kërkuar të distancohen prej tyre.
Pavarësisht paralajmërimeve, një pjesë e protestuesve kanë vijuar të heqin pllaka guri nga trotuaret dhe t’i hedhin drejt forcave të policisë. Në komunikimin e fundit, policia deklaroi se ky ishte paralajmërimi i fundit dhe bëri sërish thirrje që të mos qëllohet ndaj efektivëve.
Para Ministrisë së Arsimit është krijuar edhe një re tymi. Fillimisht u raportua për tym nga flakadanët, ndërsa më pas u sqarua se bëhej fjalë për tymin e zjarrit të fikur në kazanët e mbeturinave, i cili ka mbështjellë zonën pranë ministrisë. Protestuesit vijojnë ndërkohë me thirrjet “Ju erdhi fundi”.
Policia ka kujtuar gjithashtu hyrjen në fuqi të aktit normativ të qeverisë për protestat, që sipas njoftimit të saj ndalon mbajtjen e maskave dhe goditjen ndaj forcave të policisë. Në një moment është përdorur autoboti dhe hedhja e ujit si masë parandaluese.
Rreth orës 15;20 protestuesit filluan të hidhnin “breshëri” molotovësh drejt forcave të policisë, e cial është përgjigjur me ujë . Pas disa orësh tensione dhe përplasjesh me policinë, protestuesit janë larguar nga ambientet pranë Ministrisë së Arsimit dhe kanë nisur marshimin në drejtim të Kryeministrisë.
Situata para Kryeministrisë ka nisur të tensionohet rreth orës 17:00, pasi disa protestues kanë hedhur bomba molotovë në drejtim të efektivëve të policisë.
Pas incidenteve, policia ka nisur ndërhyrjen me autobotët me ujë, ndërsa përmes megafonëve u ka bërë thirrje protestuesve të ndalojnë veprimet e dhunshme dhe të largohen nga perimetri i godinës.
Pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë protestës para Kryeministrisë, policia ka nisur shoqërimin e disa prej protestuesve.
Protesta është zhvendosur nga Kryeministria në rrugët e Tiranës.Policia ka nisur ndjekjen e protestuesve, ndërsa këta të fundit kanë hedhur bomba molotovë drejt autobotit të ujit në zonën e “Myslym Shyrit”. Ndërkohë, protestues të tjerë kanë nisur të fshihen nëpër rrugica për t’i shpëtuar shoqërimeve të policisë.
Pas shpërndarjes për disa minuta, protestuesit janë rikthyer sërish përpara godinës së Kryeministrisë, duke vijuar tubimin me thirrje politike.Ndërsa policia është përgjigjur me spraj me ujë e piper.
Tre persona janë arrestuar sot, ndërsa gjatë ndërhyrjes u janë sekuestruar edhe bomba molotov.
Burimi: botasot.info


