Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka bërë bilancin e vitit të parë të mandatit të dytë, duke theksuar se komuna, sipas tij, ka pësuar ndryshime të dukshme gjatë pesë viteve të fundit.
Në një status të publikuar në Facebook, Kostovski thotë se viti i parë i mandatit të dytë ka qenë ndër periudhat më dinamike, me vendime të rëndësishme, projekte kapitale dhe investime që, siç pretendon ai, po ndryshojnë drejtimin e zhvillimit të Butelit.
“Po kalon një vit nga mandati im i dytë, mandat që ma besuat ju, sepse në të parin nuk ju zhgënjeva”, shkruan Kostovski.
Në bilancin e tij, kryetari i Butelit veçon edhe çështjen e sigurisë. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe është rritur ndjeshëm niveli i sigurisë në territorin e komunës, duke e cilësuar atë si një element të domosdoshëm për zhvillimin e komunitetit.
“Buteli sot është plotësisht i ndryshuar”, thekson Kostovski, duke rikujtuar premtimin e dhënë para pesë vitesh se pas dy mandateve të tij komuna nuk do t’i ngjante asaj që kishte gjetur.
Sipas tij, ndryshimet tashmë janë të dukshme dhe rezultatet e punës së pesë viteve të fundit mund të shihen në terren.
Kostovski ka falënderuar qytetarët për besimin dhe mbështetjen, ndërsa ka paralajmëruar vazhdimin e projekteve dhe aktiviteteve të komunës edhe gjatë pjesës së mbetur të mandatit.
“Vazhdojmë përpara, edhe më fuqishëm!”, ka shkruar në fund kryetari i Komunës së Butelit.


