Sot është nënshkruar kontrata për ndërtimin e një poliklinike të re në komunën e Butelit. Kështu ka informuar kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski në faqen e tij zyrtare në facebook.
Sipas Kostovskit, ndërtimi i poliklinikës së re përfaqëson një hap historik për komunën, duke synuar përmirësimin e ndjeshëm të shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Ai gjithashtu ka theksuar se objekti i ri do të ndërtohet në vendin e ambulancës së vjetër, duke ofruar kushte moderne dhe qasje më të shpejtë në shërbime mjekësore.
Kryetari i komunës, Darko Kostovski shprehu falënderim të veçantë për kryeministrin Hristijan Mickoski, duke vlerësuar mbështetjen e Qeverisë për realizimin e këtij projekti kapital, të cilin qytetarët e kanë pritur për dekada.
Në kuadër të poliklinikës së re parashihet të funksionojnë shërbimi i urgjencës, shërbimi i natës, kabineti i rëntgenit me eho, laboratori si dhe farmacia, duke synuar rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të kujdesit shëndetësor në këtë zonë.


