kosova eshte zemra e evropes reagime te ashpra ndaj grafiteve nacionaliste ne beograd vjen thirrja per nderkombetaret 6a1c7492ae771

“Kosova është zemra e Evropës”, reagime të ashpra ndaj grafiteve nacionaliste në Beograd – vjen thirrja për ndërkombëtarët!

May 31, 2026
min lexim

Serbia vazhdon mesazhet dhe kërcënimet ndaj Kosovës në mënyra të ndryshme. Së fundi zgjodhi që përmes qendres së saj kryesore, Beogradit të përcjellë mesazhe shovinisite. 

Mesazhi “Kosova është zemra e Serbisë” është shkruar në fasadën e një ndërtese në zonën kryesore të këmbësorëve në Beograd, ku çdo ditë kalojnë mijëra turistë. Ky slogan nacionalist, që mohon pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, zëvendësoi një grafit që mohonte gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë.

Duke mos qenë si provokimi i vetëm serb ndaj Kosovës, pse vazhdojnë të tolerohen në Serbi grafitet me përmbajtje nacionaliste dhe mohuese ndaj shtetësisë së Kosovës? A po shndërrohen grafitet nacionaliste në Beograd në instrument propagande politike dhe historike kundër Kosovës dhe viktimave të luftërave në Ballkan?

Lidhur me këtë ҫështje, njohësit kanë dhënë qëndrimet e tyre për “Bota sot”.

Fillimisht, deputeti shqiptar në Bernë të Zvicrës, Korab Rashiti ka deklaruar se parulla “Kosova është Serbi” nuk mund të shihet si një grafit i zakonshëm, por si një slogan politik i përdorur prej dekadash nga regjimet në Beograd dhe rrymat nacionaliste serbe.

Image

Korab Rashiti

“Rikthimi i narrativave nacionaliste në Beograd shërben si instrument politik për mobilizim elektoral dhe për mjegullimin e debatit publik”

“Parulla ‘Kosova është Serbi’ nuk është thjesht një grafit i zakonshëm. Ajo është një slogan politik që për dekada është përdorur nga regjimi i Beogradit dhe nga rrymat nacionaliste serbe”, ka thënë Rashiti për “Bota sot”.

Duke komentuar protestat që po zhvillohen në Serbi, ai ka vlerësuar se situata është më komplekse sesa duket në pamje të parë.

“Sot në Beograd ekziston një dëshirë e sinqertë e shumë studentëve dhe qytetarëve për ndryshim politik, por në të njëjtën kohë është e vështirë të injorohet prania e grupeve që përpiqen ta zhvendosin vëmendjen nga kërkesat fillestare të protestuesve drejt temave nacionaliste, si slogani ‘Kosova është Serbi’”, është shprehur ai.

Sipas Rashitit, nacionalizmi vazhdon të mbetet një nga instrumentet kryesore politike për ruajtjen e mbështetjes elektorale në Serbi, pavarësisht realitetit politik dhe gjeopolitik në rajon.

“Nacionalizmi mbetet një nga kartat e fundit që mund të luhet për mobilizim politik. Megjithatë, realiteti është i qartë: Kosova nuk do të riintegrohet kurrë në Serbi. Këtë e dinë shumë mirë edhe vetë qeveritarët në Beograd, por çështja vazhdon të përdoret për interesa të brendshme politike”, ka deklaruar ai.

Mes tjerash, Rashiti ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk duhet të fokusohen te sloganet e shkruara në muret e Beogradit, por te forcimi i shtetit dhe zhvillimi ekonomik.

“Sfida kryesore për Kosovën është forcimi i ekonomisë, shtetit ligjor, institucioneve dhe konkurrueshmërisë së vendit, e jo reagimi ndaj çdo parulle nacionaliste”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar gjithashtu një qasje më aktive të institucioneve të Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë më ofensive në raport me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke kërkuar më shumë të drejta politike, institucionale, arsimore dhe kulturore, si dhe forma më të avancuara të vetëqeverisjes lokale”, ka potencuar Rashiti.

Në fund, ka vlerësuar se rikthimi i sloganeve nacionaliste në Serbi shërben edhe si mekanizëm për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale të qeverisjes.

“Kur një pushtet sfidohet për rezultatet e tij, shpesh tenton ta zhvendosë debatin drejt nacionalizmit, historisë dhe emocioneve kolektive. Kjo është një metodë e njohur e manipulimit politik dhe e orientimit të vëmendjes publike larg problemeve të brendshme”, ka përfunduar Rashiti për “Bota sot”.

Eksperti austriak kërkon që BE-ja të reagojë ndaj retorikës anti-Kosovë në Serbi

Image

Gunther Fehlinger

Kurse, eksperti austriak dhe mbështetësi i integrimit euroatlantik të Kosovës, Gunther Fehlinger, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” ka kritikuar ashpër sloganin “Kosova është zemra e Serbisë”, i shfaqur në qendër të Beogradit, duke theksuar se Kosova është pjesë e së ardhmes evropiane të rajonit.

“Përgjigja ndaj sloganeve agresive nacionaliste në Beograd është e thjeshtë: Kosova nuk është ‘zemra e Serbisë’. Kosova është zemra e Evropës dhe pjesë e së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Fehlinger.

Sipas tij, tolerimi i grafiteve që mohojnë shtetësinë e Kosovës nuk mund të konsiderohet si shprehje artistike, por si një formë e propagandës politike.

“Kur grafitet nacionaliste që mohojnë pavarësinë e Kosovës tolerohen në qendër të Beogradit, ky nuk është art rruge i padëmshëm. Është propagandë politike e projektuar për të frikësuar Kosovën, për të përhapur armiqësi dhe për të ruajtur narrativat shkatërruese të viteve 1990”, është shprehur ai.

Fehlinger ka vlerësuar se zëvendësimi i grafiteve që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë me slogane kundër Kosovës, tregon se Serbia ende nuk është përballur plotësisht me të kaluarën e saj.

“Një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk mund të tolerojë njëkohësisht mesazhe nacionaliste të nxitura nga urrejtja kundër shteteve fqinje dhe vlerave demokratike evropiane”, ka thënë ai.

Eksperti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë nëse autoritetet vazhdojnë të tolerojnë propagandën anti-Kosovë.

“Nëse autoritetet serbe vazhdojnë të lejojnë provokime të tilla dhe refuzojnë të distancohen qartë nga propaganda anti-Kosovë, Bashkimi Evropian duhet ta rishqyrtojë seriozisht dhe ta ngrijë statusin e kandidatit të Serbisë për në BE derisa të përmbushen standardet konkrete demokratike dhe rajonale të normalizimit”, ka deklaruar Fehlinger.

Duke folur për perspektivën euroatlantike të Kosovës, ai ka theksuar se vendi meriton një rrugë të qartë drejt integrimeve ndërkombëtare.

“BE-ja dhe NATO duhet t’i dërgojnë një mesazh pozitiv dhe strategjik popullit të Kosovës. Kosova meriton një të ardhme të qartë evropiane dhe euroatlantike”, ka potencuar ai.

Sipas Fehlingerit, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk qëndron te nacionalizmi dhe pretendimet territoriale, por te bashkëpunimi dhe integrimi evropian.

“E ardhmja e rajonit nuk qëndron në mitet nacionaliste, fantazitë territoriale apo muret propagandistike në Beograd, por në integrimin evropian, njohjen reciproke, reformat demokratike dhe unitetin transatlantik”, ka përfunduar Fehlinger për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

IMG 20260531 WA0033
Lajmi i mëparshëm

VLEN: Kuvendi Qendror mbajti mbledhjen e parë pas themelimit të partisë

aksident tragjik ne aksin bulqize klos nje viktime dhe 4 te plgosur 6a1c750fa24eb
Lajmi i radhës

Aksident tragjik në aksin Bulqizë-Klos, një viktimë dhe 4 të pl*gosur

Të fundit nga

ShkoLartë