Kombëtarja U18 e Kosovës në volejboll ka arritur në Podgoricë, ku do të marrë pjesë në Kualifikimet e Kampionatit Evropian CEV U18 2026, që zhvillohen nga 3 deri më 7 janar në palestrën SC Verde.
“Pas përfundimit të përgatitjeve në Kosovë, ekipi ka udhëtuar drejt Malit të Zi i përqendruar dhe i motivuar për paraqitje sa më të mira në arenën evropiane.
Nën drejtimin e përzgjedhësit Darko Prebiraçeviç, me ndihmën e trajnerëve Naim Gucati, Ermal Maliqi dhe Elmi Zymeri, Kombëtarja ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në Podgoricë, duke u përshtatur me ambientin dhe kushtet e garës para startit të turneut.
Sfida e parë për Kosovën vjen nesër, më 3 janar, kur në orën 20:30 do të përballet me Rumaninë.
Kjo ndeshje shënon debutimin e Kosovës në këtë turne dhe pritet të jetë një test i rëndësishëm për formën aktuale të ekipit.
Të rinjtë e Kosovës synojnë të hyjnë në parket me disiplinë taktike, energji dhe besim, për të ndërtuar një start pozitiv në garë.
Kosova bën pjesë në një grup tejet konkurrues, ku përveç Rumanisë, do të përballet edhe me Malin e Zi, Turqinë, Serbinë, Greqinë dhe Bullgarinë, ekipe me traditë dhe përvojë në garat evropiane të kësaj grupmoshe.
Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) i uron shumë suksese Kombëtares U18 në këtë rrugëtim evropian, duke besuar se lojtarët do ta përfaqësojnë Kosovën me përkushtim, dinjitet dhe shpirt luftarak”, njofton FVK.
Burimi: botasot.info


