Keidi Bare u operua nga apendiciti dhe prej atëherë është rikthyer tjetër version te Real Zaragoza. Për të janë katër ndeshje si titullar në La Liga 2 ku është parë si lojtar kyç për mesfushën.
Vetë Zaragoza ka fituar tri sfida dhe një tjetër e mbylli barazim. Fillimisht dukej se nuk kishte shpresa për mbijetesën, pasi ekipi para se të fillonte ecuria pozitive mbante vendin e fundit me 6 pikë pas 13 javësh. Tashmë në të njëjtin pozicion, ndodhet vetëm 2 pikë larg zonës së ftohtë.
Trajneri Ruben Seles u pyet për Baren, i cili është shndërruar krejtësisht, njësoj si edhe Zaragoza.
“Ai ka dashur të jetë protagonist. Na jep një pozicionim në mesfushë që na bën të jemi më të ekuilibruar. Nuk jam unë ai që do ta “zbulojë” Keidin, pasi ai e fuqizon ekipin dhe shokët e tij të skuadrës me nivelin e tij dhe e di që duhet ta mbajë këtë rendiment, sepse ka shumë konkurrencë në pozicionin e tij. Është një lajm i mirë të kemi këtë version të Keidit”, u shpreh trajneri për mesfushorin e Kombëtares.
Burimi: botasot.info


